Kore e Veriut, Kim viziton një fabrikë ushtarake

23/08/2017 00:00

Loja e fotove në krizën koreane vazhdon. Mediet në Korenë e Veriut kanë publikuar imazhet e vizitës së Kim Jong-un në një fabrikë ushtarake, e sipas ekspertëve një nga projektet e varura në mur i përket një rakete të re “Pukguksong 3”.

Raketa, sipas analistëve mund të ketë një rreze më të gjatë veprimi dhe mund të lançohet nga një platformë e posaçme që i siguron lëvizshmëri të madhe. Një tjetër element ka të bëjë me shtytjen. Ajo duket se përdor karburant të ngurtë, që kërkon shumë më pak kohë për t’u djegur.

Në artikullin e të përditshmes zyrtare shfaqet edhe një raketë e dytë, nën të cilën shkruhet “Hwasong”. Por nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një prototip të ri apo jo.

Udhëheqësi, – shkruan agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA”, – ka urdhëruar rritjen e prodhimit të raketave me karburant të ngurtë dhe të më shumë kokave bërthamore.

Lajmi për vizitën e Kim Jong-un në fabrikën ushtarake vjen jo shumë kohë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, u duk se bëri një kthesë paqeje ndaj Penianit, duke mirëpritur atë që ai e quajti vetëpërmbajtjen e treguar nga Veriu.

Peniani ka kryer dy teste bërthamore dhe dhjetëra teste raketash që nga fillimi i vitit.

Top Channel