Kambana e famshme e “Big Ben”-it do të qëndrojë në heshtje duke filluar nga java e ardhshme e deri në vitin 2021, kjo me qëllim që të mund të bëhen punime restaurimi.

Kambana do të bjerë për të fundit herë mesnatën e së hënës, para se gjithçka të ndalet, e ora bashkë me kullën të restaurohen. Kambana e madhe ka rënë për çdo orë për 157 vite.

Herën e fundit ajo heshti në vitin 2007 dhe, para saj, nga viti 1983 e deri në 1985-n, kur iu nënshtrua riparimeve.

Autoritetet thanë se ndalimi i “Big Ben”-it, emri që zakonisht përdoret për kullën “Elisabeth” të Pallatit “Ëestminster”, do të mbrojë punëtorët që do të kryejnë punimet.

Sidoqoftë, kambana do të bjerë për ngjarje të rëndësishme, përfshirë këtu natën e ndërrimit të viteve dhe të dielën e kujtesës. Kujdestari i orës, Steve Jaggs tha se, ndalimi i “Big Ben”-it është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të projektit të restaurimit të kullës.

“Ky projekt, përveçse do t’i japë më shumë jetëgjatësi orës, do të ndihmojë edhe në mbrojtjen dhe ruajtjen e shtëpisë së saj, kullës Elisabeth”, tha ai.

Kambana e madhe është pjesë e orës së madhe në kullën “Elisabeth”, që njihet gjerësisht si “Big Ben”. Ajo peshon 13.7 tonë, ndërsa kulla “Elisabeth” është 96 metra e lartë. Kulla thuhet se është edhe ndërtesa më e fotografuar në Britaninë e Madhe.

Punime mirëmbajtjeje do të kryhen edhe jashtë ndërtesës, ndërkohë që sipas projektit, kulla do të bëhet më efikase përsa i takon shpenzimit të energjisë. Përveç të tjerash, ora e madhe do të çmontohet dhe do t’i nënshtrohet një procesi pastrimi dhe riparimi.

Edhe drita “Airton”, që ndizet kur Parlamenti është në seancë, do të rinovohet. Edhe ndërtesa e Parlamentit ka nevojë për riparime, ndaj dhe një program shumëmilionë stërlinash, përfshirë edhe zhvendosjen e përkohshme të deputetëve, është hartuar tashmë.

Top Channel