Kullotat në zonën e Gjirokastrës dhe Përmetit njihen historikisht si vatra të sëmundjes së antraksit. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thotë se për këto zona, ka një strategji të caktuar të kontrollit të sëmundjes që bazohet tek vaksinimi i kafshëve në vatër, por se rastet e shfaqjes së sëmundjes janë pasojë e thyerjes së kësaj skeme.

”Janë kullota që ne e dimë që janë të infektuara dhe për këtë arsye ne bëjmë vaksinimin e detyrueshëm disa herë të kafshëve që shfrytëzojnë këto kullota dhe barinjtë këtë e dinë, ajo që ka ndodhur ka të bëjë me thyerjen e skemës së vaksinimit që mund të ketë ardhur nga fakti që mundet të jenë futur në tufë kafshë që nuk i takojnë zonës nga rajone të tjera dhe për rrjedhojë edhe jo të vaksinuara”, shprehet ministri Edmond Panariti.  

Ministri i Bujqësisë u kërkon fermerëve që për çdo rast të kafshëve të infektuara të kërkojnë ndihmën e shërbimit veterinar.

“Apel të drejtpërdrejtë blegtorëve në rastin e shfaqjes së infeksionit. Nuk janë ata që gjykojnë se si duhet vepruar me bagëtinë, duhet lajmëruar Shërbimi Veterinar Shtetëror dhe ai privat qe administron kufomën e kafshës bën dezinfektimin, hapjen e gropës dhe groposjen në mënyrë antiseptike të kafshëve të ngordhura” tha Panariti.

Veç Gjirokastrës dhe Përmetit, vatra të tjera shumëvjeçare të antraksit në vendin tonë gjenden edhe në zonën e Vlorës.

Top Channel