Durrës, prokuroria apelon lirimin e Hatijës

12/07/2017 00:00

Prokuroria e Durrësit ka apeluar mesditën e së mërkurës vendimin e Gjykatës së Durrësit, e cila më herët liroi të shtetasin Alket Hatija, i arrestuar për qëllime ekstradimi në Itali.

Në ankesën e saj prokuroria e cilëson vendimin e gjykatës krejtësisht të pabazuar dhe të mbështetur në fakte që nuk ekzistojnë.

Sipas akuzës, të gjitha procedurat e ndjekura, që nga shpallja në kërkim, arrestimi dhe deri tek kërkesa për caktim mase sigurie me qëllim ekstradimin janë konfrom ligjit.

Për këtë arsye Prokuroria e Durrësit i kërkon gjykatës së Apelit që të rrëzojë vendimin e shkallës së parë dhe të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” për Alket Hatijan, deri në përfundimin e procedurave të ekstradimit.

Hatija u arrestua një ditë më parë në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga drejtësia italiane, që e ka dënuar në mungesë me 20 vite burg për trafik narkotikësh në sasi të mëdha.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel