Prezantohet Fondi i Komuniteteve

19/05/2017 11:35

Bashkia e Tiranës ka prezantuar programin e Fondit të Komuniteteve, që synon të nxisë qytetarët të bashkëpunojnë për të përmirësuar infrastrukturën e blloqeve të banimit dhe ambientet e përbashkëta.

“Për infrastrukturën komunitare, bashkia do të vërë në dispozicion këtë vit 200 milionë lekë, të cilat do të përdoren si një fond fillimisht për ta pilotuar te pallatet me administratorë. Administratori propozon në emër të banorëve një ndërhyrje që mund të jetë veshje kapot e pallatit, lyerje, eficencë energjetike, panele diellore, një hapësirë lulishte përpara pallatit apo një rampë, nëse ka persona me aftësi të kufizuar, që kanë nevojë të aksesojnë pallatin”, shpjegoi Veliaj.
 
Për të përfituar nga ky fond, fillimisht banorët duhet të zgjedhin një administrator për pallatin e tyre: “Duhet të kesh administrator në pallat sepse kjo është një mënyrë sesi inkurajojmë që sa më shumë banorë të bëhen bashkëvendimtarë të fatit të lagjes së tyre. Në 1147 pallate në këto 6 muaj, që kur kemi filluar me këtë nismë, tashmë është krijuar kryesia e asamblesë së banorëve. Në shumicën prej këtyre ka filluar procesi i rekrutimit të administratorit dhe për të gjithë ata që tashmë e kanë zgjedhur administratorin në librin e certifikuar të bashkisë si administrator pallati, mund të vijnë në bashki të prezantojnë një projekt, të cilin gjysmën do ta financojë pallati dhe gjysmën tjetër bashkia”.

Ky program synon dhe ruajtjen e investimeve që bëhen nga vetë komuniteti. “Shumë njerëz na kanë thënë: kryetar, jemi gati që të kontribuojmë edhe ne. Jo vetëm kaq, por kemi vënë re që aty ku njerëzit kontribuojnë, sigurohen që edhe të ruhet. Nëse nuk ke kontribuar në diçka, e sheh si të shtetit, si një gjë që mund të prishet, si një gjë që mund të zvarritet pafundësisht. Sigurisht, kjo nuk ndodh nëse çdo banor e sheh veten aksioner, bashkë me bashkinë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA