Tentativa për vetëvrasje, Ambasada shqiptare hesht. Flet avokati i shqiptarit

21/04/2017 00:00

Dy javë më parë, “Fiks Fare” transmetoi rastin e një emigranti shqiptar në Belgjikë, i cili në dëshpërim e sipër për vendimin që kishte marrë shteti belg për ta kthyer në Shqipëri, qëlloi veten me pistoletë.

“Fiks Fare” kontaktoi me Ambasadën shqiptare në Bruksel, e cila nuk pranoi të përgjigjej për këtë rast. Gazetarët kontaktuan edhe me avokatin e zotit Petrit Ndocaj, David Monfils. Ai tregon se ligji belg parashikon heqjen e lejes së qëndrimit në rastet e thyerjes së sigurisë publike dhe thyerje të sigurisë kombëtare. Por ligji bën një diferencë midis thyerjes së ligjit publik dhe thyerjes së rëndë të tij, pohon avokati.

“Po kështu, ligji bën diferencime edhe midis rasteve të ndryshme. Për personat që jetojnë prej 10 apo 20 vitesh në Belgjikë nuk parashikohet të përzihen nga territori. Për ata që kanë më pak se 10 vite parashikohet largimi”, shprehet avokati.

Ndërkohë që Petrit Ndocaj ka 11 vite qëndrim në Belgjikë. Në intervistën që Monfils dha për “Fiks Fare”, ai shpjegoi se nuk është ligji belg që është strikt, i njëjti ligj ekziston në të gjithë vendet europiane.

“Tashmë ne kemi një Sekretar shteti për Emigracionin, që aplikon rregullat më rreptësisht sesa në të kaluarën. Kjo është e sigurtë”, përfundon avokati.

Ndërkohë, Petrit Ndocaj, i cili qëlloi veten “live” gjatë intervistës me gazetarin e “Fiks Fare”, pohoi se e kishte kryer dënimin për krimin që akuzohej, madje kishte punuar edhe i regjistruar me sigurime, të cilat i derdhte çdo muaj.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel