Fiks Fare/ Trashëgimtarët e Aqif Pashë Elbasanit: Si na grabitën pronat

11/04/2017 00:00

Një notere në Elbasan lëshon prej 24 vitesh akte të ndryshme trashëgimie, me trashëgimtar të ndryshëm! Si pasojë e këtyre akteve, janë zhvilluar dhjetëra procese gjyqësore, ku në fund, të “humbur” kanë dalë pasardhësit e gjakut të Aqif Pashë Elbasanit.

Ky i fundit ka qenë kryetar i Kongresit të Lushnjes, si dhe ka qenë një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Ai ka pasur tre fëmijë, Ibrahim Biçakun (Biçakçiun) që ka qenë kryeministër i Shqipërisë si dhe dy vajza.

Trashëgimtarët e gjakut të dy ish udhëheqësve u ankuan në emisionin Fiks Fare se po iu grabisin pronat. Sipas tyre, pronat e Aqifit u sekuestruan në emër të të birit (Ibrahimit). Enerestina Shtino, stërmbesa e Aqif Pashë Elbasanit, thotë se noterja e Elbasanit, Majlinda Lato ka lëshuar tre dëshmi trashëgimie për Ibrahim Biçakun. Të parën ia ka dhënë trashëgimtarëve të gjakut të Ibrahimit, trashëgimtarëve të dy vajzave të Aqif Elbasanit, Sadetes dhe Nigjarit. Të dytën ia ka dhënë trashëgiminë shtetasit Eqerem Risilia, i cili është vëllai i gruas të Ibrahim Biçakut. Ndërkohë, të tretën ia ka dhënë sërish Eqerem Risilisë, kësaj herë për Ibrahim Biçakçiun. “Këto dëshmi kanë qenë pikënisja e të gjithë grupit të strukturuar kriminal” thotë Enerestina.

Akte të ndryshme noteriale për 24 vite me radhë
Për të vërtetuar këto pretendime, ajo shkon dhe bisedon me noteren Majlinda Lato. Noterja thotë se, krahas dy akteve të para, i ka dhënë z.Risilia që është trashëgimtar i Ibrahim Biçakçiut, siç edhe njihej ish-kryeministri Ibrahim Biçaku. Për këtë akt, ajo i thotë se është një lapsus mbiemri, madje i tregon se këtë akt ia kanë dërguar në zyrë. Por, siç edhe rezulton më pas, me këtë akt, janë marrë prona që i janë njohur ish-kryeministrit Ibrahim Biçakçiu. “O Nina, s’ka pasur fotokopje atëherë. Po ti je Nina, ke hyrë te ajo e para. Po ajo është në konflikt tani, s’do hyjë ai tani. A është ky Eqerem Risilia, është i njëjti?” i thotë noterja, ndërsa shton se “Po do ta marrësh (pronën) pra. I dhash Ninit (kushëririt të ankueses) kopjen që ka vdekur Ibrahimi dhe ju ka lënë juve”. Më tej i thotë se “Nina, Nina, jeni në konflikt. O Nina të kam… të kam shpirt e të kam xhan. Ka vdekur Ibrahim Biçaku dhe të ka lënë ty. Të jap fjalën se nuk i jap Risilisë vendime, vetëm po më detyroi gjykata. I kam thënë edhe Serxhit (vëllait të ankueses) edhe Ninit edhe të gjithëve; përse e lanë 25 vjet këtë gja kështu?! Tani me çfarë t’ju ndihmoj unë? Vetëm me gjyqe do të vazhdosh. Unë si jap asnjëherë këtij, do t’ju jap vetëm juve. Gjykata e Lartë ju dha gjysëm asaj dhe gjysëm juve” i thotë noterja ankueses, duke pranuar se ka vazhduar të japë për 24 vite me radhë dy akte trashëgimie. Qytetarja e pyes si ka mundësi të rishikohet një vendim i Gjykatës së Lartë, dhe ajo i përgjigjet se “këtë duhet të godisni ju”.

Pas këtyre përgjigjeve, gazetarët e Fiks Fare shkojnë të pyesin noteren Majlinda Lato, në lidhje me nxjerrjen e tre akteve noteriale. Ajo nuk pranon të flasë me kamër, ndërsa thotë se është e shqetësuar, ka probleme shëndetësore dhe për këtë gjë flet vetëm Mimoza Sadushi, kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve. Gazetarët e pyesin se përse jepen ende disa akte noteriale të ndryshme, ndërsa thotë se në atë kohë, pra në vitin ’94, nuk ka pasur regjistra dhe se në atë kohë aktet jepeshin me deklarata nga palët e interesuara. E pyesim sërish dhe sërish na thotë se për këtë çështje flet vetëm Mimoza Sadushi.

Ekipi i Fiks Fare interviston kryetaren e noterëve, e cila thotë se në vitin ’94 nuk ka pasur regjistra ku të regjistroheshin këto akte. Gazetarët e pyesin se edhe sot, pas 23 apo 24 vitesh, zonja Majlinda Lato jep akte trashëgimie dy trashëgimtarëve të ndryshëm. Na thotë se njëra palë duhet ta kundërshtonte në gjykatë dhe se nuk duhet të jepen dy akte të tilla. Sipas saj, dhënia e dy akteve është një pasaktësi e kryer nga noterja, ndërsa shton se edhe ajo nuk e di kujt i takon trashëgimia në fjalë. Na thotë se në vitin 94 këto akte shtypeshin edhe në zyrat e avokatëve dhe dërgoheshin më pas në zyrat noteriale që firmoseshin. Sipas saj, janë regjistruara në një regjistër vetëm aktet e pas vitit 2013.

Gjykata e Elbasanit “gjykon” Gjykatën e Kasacionit

Klajdi Shtino, stër/stërnipi i Aqif Pashë Elbasanit, thotë se në vitin 1995, shtetasi Eqerem Risilia paditi trashëgimtarët e gjakut të Aqif Pashë Elbasanit. Ai fitoi në shkallë të parë dhe në apel, duke e njohur si trashëgimtar të pronave të Ibrahim Biçakut. Gjykata e Kasacionit vendosi në vitin 1996 ndryshimin e këtyre vendimeve, duke vendosur të njohë të paditësin trashëgimtar mbi 1/2 e pasurisë trashëgimore të K.K.K Pronave i kthen trashëgimlënësit Ibrahim Biçaku. Më pas, për çudi Gjykata e Elbasanit rishikon vendimin e Gjykatës së Lartë, një nonsens! “Ky vendim i gjykatës është i falsifikuar, me të na janë grabitur pronat. Procesverbali nuk lexohet, është i padëshifrueshëm. E kanë bërë qëllimisht që të mos lexohet çfarë është shkruar. Janë mbi 60 faqe që janë të tilla. Me këtë vendim na janë grabitur pronat” thotë ai. Ndërkohë, stërnipi i Aqif Pashë Elbasanit thotë se pronat janë në zonën e kalasë, janë tre vila, si dhe mijëra metra katrorë truall. Prona më kryesore është vila në hyrje të kalasë, ku ka jetuar Aqif Pashë Elbasani, e cila është shitur menjëherë.

Procesverbale të padëshifrueshme
 
Një nga ndihmësgjyqtaret që ka firmosur vendimin e padëshifurshëm është takuar nga trashëgimtarët. Enerestina Shtino i thotë ish ndihmësgjyqtares se ka shkuar që t’i lexojë procesverbalet. “As unë si lexoj dot shkrimet e tyre. Si lexoj dot! S’lexoj procesverbalin unë. Ashtu shkruhej atëherë. A keni bërë ankim?” thotë ajo, ndërsa pyetet nëse gjykata kishte apo jo të drejtë të rishikonte një vendim të Gjykatës së Lartë. “Është bërë ankim. Tani ti po më kërkon hesap mua? Ai vendim është ankimuar” thotë ajo, ndërsa ankuesja i thotë se edhe vendimi i apelit nuk ka firma. “Ai po” thotë ajo, dhe largohet.

Ndërkohë, gazetarët shkojnë në Gjykatën e Elbasanit për të vërtetuar dokumentet. Kancelari dhe kryesekretarja pranojnë se dokumentet janë në arshivë. Pyetjes se përse nuk lexohen dot këto procesverbale, kryesekretarja thotë se “s’kuptohet se atëherë kanë qenë me shkrim. Po varet nga sekretarja. Nuk është i falsifikuar” thotë ajo, ndërsa gazetari i kërkon që të lexojë këto procesverbale. “Po kush është sekretarja… Gjykata Elbasan në vend, vendosi ëëë ëëë… provat, se ça thotë këtu… U paraqit Kozarja, pastaj Bordi ëëë ëëë, ça ka kërkuar. Duken ca gjëra, pastaj provat” thotë ajo. Ndërkohë, kancelari u thotë gazetarëve që të mos pretendojnë për vendime të viteve ’98. “Dëgjo se u dogjën pak gjykatat po qe” thotë ai, ndërsa kryesekretarja shton se “Ne kemi 20 vjet këtu, ka edhe më keq se aq, me ca kaçurrela që po ti tregon unë ty. Ka shumë, shumë më keq!”.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB