Basha: Me Ramën, për qeveri teknike. U dakordësua të mërkurën

11/04/2017 00:00

Për Lulzim Bashën rruga për tu ulur në dialog është ende e hapur, ndonëse opozita tha ai, nuk mund të presë pafundësisht.

Kreu i opozitës zbuloi sot se 6 ditë më parë ishte rënë dakord që të flitej për formimin e qeverisë teknike por asgjë nuk u arrit.

“Lëri lojrat e fjalëve, dialogun e dakodrësuam ditën e mërkurë, 6 ditë përpara, u ra dakord se do të flitej për formimin e qeverisë teknike dhe për mandatin e qeverisë teknike. Dy tema që kërkojnë përgatitje serioze, aq më shumë po të kemi parasysh se çfarë dredharaku fjalë-ngrënë kemi përballë. Ndaj të nesërmen e deri sot ekipi negociues i opozitës ka qënë në gatishmëri për të përgatitur një dialog të vërrtetë në funksion të zgjidhjes”, tha Basha.

Kreu i PD-së tha se Edi Rama e ka zgjidhjen për t’i dhënë fund krizës: “Meqë dëshirën për në çadër e ke shprehur shumë herë, eja në këtë çadër me dorëheqjen në xhepin e xhaketës dhe ne do të presim paqësisht. Nuk mund të bëjmë ne lojra fjalësh, do të hyjë si kryeministër në dialog po do të dalë nga dialogu si kryeministër i dorëhequr që i hap rrugën qeverisë teknike me mbështeje të gjerë politike…”.

Për Lulzim Bashën, kjo qëndresë do të përfundojë vetëm me fitoren e PD-së por për këtë opozita duhet të jetë e kujdesshme.

“Duhet të shmangim çdo kurth, çdo çark, çdo dredhi që ka për qëllim t’i japë oksigjen republikës së vjetër akoma dhe të shmangë, ndalojë apo ngadalësojë projektin e republikës së re”, tha ai.

Top Channel