Ahmetaj: Tejkaluam parashikimet. Në një mandat, 183 mijë vende pune

04/04/2017 00:00

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj komentoi me tone optimiste zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare. Sipas tij, ecuria e treguesve ekonomikë të vendit ka tejkaluar të gjitha parashikimet.

“Rritja e tremujorit të katërt shkoi gati 4 për qind dhe vjetorja kaloi pritshmëritë e FMN, BB, BERZH, por jo timen me 3.46 për qind”, tha Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, përfitimet e rritjes ekonomike janë shpërndarë në të gjitha shtresat e popullsisë.

“Janë gati 183 mijë vende pune plus 30 mijë vende të lira, të paokupuara ende nga qytetarët. Janë gati 210 mijë vende pune të krijuara në një mandat. Është gati 27 për qind e të gjithë totalit të punësimit në 20 vite të krijuara në një mandat të vetëm”, tha Ahmetaj.

Por sipas kreut të Financave, kjo situatë pozitive në ekonomi rrezikohet nga risku politik, për të cilin ai fajësoi opozitën.

“Kushdo që pengon reformën në drejtësi pengon rritjen ekonomike të Shqipërisë, mirëqënien e çdo familjeje dhe forcimin e shtetit”, tha Ahmetaj.

Qeveria dhe Fondi Monetar presin që këtë vit rritja ekonomike të jetë 3.8%, por ekspertët paralajmërojnë se ky skenar mund të rrezikohet nga kriza politike që po kalon vendi.

Top Channel