Njeriu që pritet të jetë presidenti i ardhshëm i Serbisë thotë se i është nënshtruar një transformimi nga nacionalisti i linjës së ashpër, që dikur kishte mbështetur censurën dhe diktatin e Slobodan Milosheviçit, duke kundërshtuar akuzat e opozitës se është një autokrat i uritur për pushtet, me tendenca autoritare.

Sipas britanikes “The Guardian”, që i kushton një shkrim të gjatë kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, ky i fundit thotë se konvertimi i tij personal pasqyron ndryshimet në vendin ballkanik, që ai këmbëngul se nuk aspiron më të jetë një aktor kryesor në skenën globale, pas rolit kyç të tij në konfliktet shkatërrimtare të viteve ’90, që u shoqëruan me shpërbërjen e dhunshme të ish-Jugosllavisë.

47-vjeçari Vuçiç është pretendenti kryesor, mes 11 kandidatëve që marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës, me disa sondazhe që thonë se ai mund të fitojë më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë, pa pasur nevojë për balotazhin.

Fitorja mund të çimentojë pozicionin e tij të padiskutueshëm, si politikani më i fuqishëm në Serbi, i pritur dhe respektuar nga udhëheqësit europianë si Kancelarja gjermane Angela Merkel, por edhe nga presidenti rus Vladimir Putin.

Sidoqoftë, kritikët janë të shqetësuar se Vuçiç mund të bëhet shumë i fuqishëm, duke çuar në një cënim të demokracisë në Serbi. Ata risjellin në mendje rolin e tij si ministër Komunikimi i Milosheviçit, kur vinte gjoba mbi gazetat për shkelje të rregullave drakoniane të censurës, gjatë konfliktit të ’99-s me NATO-n mbi Kosovën.

I ulur në një zyrë të mirëdekoruar, përballë ish-zyrave të ushtrisë të shkatërruara nga bombardimet e NATO-s, Vuçiç thotë se këto kritika nuk marrin parasysh mënyrën sesi ai ka ndryshuar.

“Ka një idiomë në serbisht: Vetëm gomerët nuk ndryshojnë, – thotë Vuçiç. – Është shumë normale të ndryshosh këndvështrimet. Është normale të ndryshosh veten, të bëhesh më i matur, më i përgjegjshëm”.

Vuçiç fitoi reputacion politik si anëtar i Partisë Radikale të së djathtës ekstreme, që kërkonte Serbinë e madhe dhe mbështeste luftrat e përgjakura në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, që morën rreth 100 mijë jetë njerëzish. Në vitin 2008 ai iu bashkua Partisë Progresive serbe, të themeluar nga mentori i tij Tomislav Nikoliç, presidenti aktual që nuk rikandidon në zgjedhjet e së dielës.

Top Channel