Në prezantimin e Fatmir Xhafës përpara dejtuesve të Policisë së Shtetit si ministri i ri i Brendshëm, kryministri Edi Rama u zotua se ky vit do të shënojë fundin e historisë së kultivimit të kanabisit në vend.
“Kemi të gjitha arsyet që ta konsiderojmë vitin 2017 si vitin që i vë kapak kësaj historie të gjatë që nuk filloi në 2013-n, që i ka rrënjët larg në të shkuarën, por që në 2017-n janë të gjitha premisat që të ketë edhe epilogun e saj”, deklaroi Rama.
Të njëjtin prioritet renditi edhe Fatmir Xhafaj, i cili në fjalën e parë si kreu i këtij dikasteri, u ndal edhe tek paanshmëria e policëve në zgjedhje dhe atë që e cilësoi “veting-u” në radhët e uniformave blu.
“Sfida ime dhe e juaja është nxjerrja një herë e përgjithmonë e Shqipërisë nga lista e vendeve ku kultivohet kanabis. Zgjedhjet janë të qytetarëve dhe policia i përket qytetarëve, ndaj nuk do të lejojmë që policia të ndikojë në këtë proces të shenjtë.
Ka ardhur koha për të bërë atë që konsiderohet si vetting-u i figurës morale të punonjësit të policisë”, deklaroi ministri.
Xhafaj tha po ashtu se shteti i së drejtës është vullneti politik i shumicës dhe mbetet angazhimi kryesor përballë qytetarëve.
Top Channel