“Parazitët socialë”

25/03/2017 00:00

Mijëra njerëz në Bjellorusi sfiduan ligjin që ndalon protestat kundër së ashtuquajturës taksa ndaj parazitëve socialë që shënjestron ata që punojnë pak ose janë të papunë.

Protestuesit hodhën slogane kundër qeverisë dhe policisë duke i quajtur këta të fundit fashistë, pasi u arrestuan dhjetëra demonstrues të opozitës. Prej javësh bjellorusët organizojnë protesta kundër taksës prej 230 dollarësh që i vendoset atyre që nuk punojnë prej 6 muajsh.

Këtë vit, presidenti Aleksandër Lukahenko e pezulloi taksën, por nguli këmbë se ajo nuk do të anulohet. Ai deklaroi se kjo taksë disiplinon ata që nuk e kanë me qejf të punojnë, por sipas protestuesve ajo thjesht ndëshkon ata që nuk gjejnë dot punë.

Organizatorët e quajtën protestën Dita e Lirisë, një përkujtim i Bjellorusisë pavarur që rezistoi vetëm 6 muaj pas luftës së parë botërore në vitin 1918. në fillim të muajit, presidenti Lukashenko tha se ata që punojnë më pak se 183 ditë në vit, s’kanë pse e paguajnë taksën për 2017, ndërsa ata që e kanë paguar vitin e shkuar, por kanë gjetur punë, do të kompensohen.

Sipas statistikave, 470 000 njerëz duhej të kishin paguar taksën, por vetëm 50 000 e kanë bërë. Lukashenko, i cili ka marrë nofkën diktatori i fundit i Europës, drejton që prej 1994-s Bjellorusinë, ku nuk tolerohet kundërshtimi. Megjithatë, së fundmi, ia ka marrë masa që të përmirësojë raportet me perëndimin dhe të zvogëlojë varësinë e vendit nga Rusia.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel