Lajme të këqija nga Ballkani

25/03/2017 00:00

Pak kohë më parë, Ballkani nuk ishte më pjesë e lajmeve ndërkombëtare. Në rajon nuk ndodhte asgjë që të tërhiqte vëmendjen mjaftueshëm, por situata së fundi është përmbysur.

Në 2017-n, thuhet në një artikull të publikuar në faqen online të Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, lajmet e këqija nisën të vërshojnë sërish dhe në ajër ka zëra për një ripërtëritje të konflikteve të vjetra.

Shkrimi i bën një grafi situatës së të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke nisur nga krizat qeveritare e stanjacioni ekonomik, i kthyer tashmë në normë për disa prej tyre, për të vazhduar me bashkëpunimin rajonal që mbytet nga tonet nacionaliste, dy zgjedhjet e vështira me të cilat përballen të rinjtë: papunësia, apo emigracioni e për të mbërritur tek lufta kundër korrupsionit, e cila mbetet në masë të madhe retorike.

Lojtari me influencën kryesore deri tani, Amerika, rrallëherë e ka përmendur Ballkanin qëkur në pushtet erdhi Donald Trumpi. Procesin e reformave vazhdon ta udhëheqë Bashkimi Europian. Por, ndërsa loja e tij e “karrotës dhe shkopit” ka dështuar të ndryshojë rrënjësisht rajonin, humbja e shpresës së një të ardhmjeje  europiane mund të bëhet shkas për rikthimin e një të shkuare të rrezikshme.

Në pjesën e kushtuar Shqipërisë, artikulli përmend protestën e opozitës dhe kërkesën e saj për largimin e qeverisë si mënyrë garantimi e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershor.

Disa thonë se Shqipërisë sërish i duhet ndërmjetësimi ndërkombëtar në zgjidhjen e një ngërçi politik 25-vjeçar mes dy partive të mëdha, vazhdon shkrimi.

Në thelb, megjithatë, pavarësisht dilemave të shumta, e ardhmja europiane për të dhe vendet e tjera ballkanike, vazhdon të mbetet garancia më e mirë për prosperitet dhe qëndrueshmëri.

Top Channel