Calavera “rrëzon” Vasilin: S’ka nevojë për marrëveshje të re

10/03/2017 00:00

Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të monitorimit ka zgjedhur të shpjegohet hollësisht dhe ndoshta për herë të fundit rreth dyshimit të ngritur nga ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, se OMN-ja po vepron mbi baza jo Kushtetuese dhe se zgjidhja, sipas tij, do të ishte një marrëveshje e re me Shqipërinë, e miratuar në Parlament.

Por spanjollja Genoveva Calavera nuk mendon kështu. Megjithëse në letrën e saj përmend se përkthimi anglisht ndryshon nga ai në shqip kur i referohet marrëveshjeve ndërkombëtare në fuqi, shefja e ONM-së thotë se misioni është plotësisht Kushtetues dhe se nuk ka nevoje për marrëveshje tjetër.

“Nuk ka qenë qëllimi i legjislatorit të kërkojë negociata, miratim dhe ratifikim të një marrëveshjeje të re ndërkombëtare. Ky proces do të kërkonte disa vjet për t’u realizuar.”

Sipas shpjegimit mjaft te detajuar dhe teknik, shefja e ONM-së përmend 4 marrëveshje ekzistuese ndërkombëtare, të cilat, sipas saj, janë bazë shumë e mirë kushtetuese për veprimtarinë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që do të mbikëqyrë procesin e Vettingut. Zonja Calavera përmend Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, marrëveshjen kornize mes tyre për ndihmën financiare të instrumentit të para anëtarësimit, marrëveshje për kontrollin e narkotikeve dhe zbatimin e ligjit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëveshjen mes dy partnerëve te Shqipërisë, që do të drejtojnë operacionin ndërkombëtar të monitorimit.

Përsa i përket bordit të menaxhimit, një tjetër pikë kjo e kritikuar nga Ministri i Drejtësisë, shefja e ONM thotë se misioni nuk ka detyrim te organizohet nga ligjet shqiptare, prandaj edhe bordi nuk është i përmendur në Kushtetutë.

Qëndrimi i vëzhguesve ndërkombëtare për Vetting-un në Shqipëri financohet nga Bashkimi Europian. Ose siç thotë shefja e misionit, ai është projekti që kushton më shumë, 10 milionë euro.

Top Channel