Renzi dorëhiqet edhe nga kreu i partisë

19/02/2017 00:00

Ish kryeministri italian, Mateo Renzi, ka dhënë dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, të dielën, duke hapur rrugën për një betejë për lidershipin ku ai do të përpiqet të godasë armiqtë që kërcënojnë të ndajnë në mes grupin e qendrës së majtë.

Duke luftuar për jetën e tij politike, Renzi bëri të qartë se do të kërkojë rizgjedhjen dhe paralajmëroi se përplasjet e brendshme në partinë e tij po rezultonin të ishin një dhuratë për kundërshtarët në parlament.

Renzi nuk lajmëroi se kur do të mbaheshin zgjedhjet partiake, por aleatët thanë se ai do të donte që gjithçka të kishte përfunduar para zgjedhjeve lokale në qershor, për shkak të frikës se një disfatë e mundshme atje do të reduktonte shanset e tij për rizgjedhje.

Renzi dha dorëheqjen si kryeministër në dhjetor, pasi humbi në një referendum mbi planet e tij për reforma kushtetuese dhe tha se do të donte zgjedhje kombëtare sa më shpejt që të jetë e mundur në një përpjekje për të rimarrë pushtetin.

Kundërshtarët e tij duan që parlamenti të vazhdojë deri në fund mandatin e tij, në fillim të 2018-ës, duke argumentuar se PD i duhet kohë për të hartuar një manifest më majtist ku të rriten shpenzimet për mbështetjen sociale dhe të mos ofrohen favore për bizneset e mëdha.
Sipas sondazheve të fundit, partia demokratike e Renzit është në të njëjtat nivele të mbështetjes me lëvizjen pesë yjet, e themeluar nga Beppe Grillo, që kërkon një referendum mbi anëtarësinë e Italisë në Eurozonë.

Top Channel