KQZ në pritje të afatit ligjor për ankesat e rivalëve të garës politike, pritet të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Kosovë
Njohës të së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Kosovës paralajmërojnë se procedurat gjyqësore për rastin “Haradinaj” në Francë mund të mos përfundojnë në datën 2 mars, por të vazhdojë më tej.
Profesori Ismet Salihu, nga kjo fushë, thotë se kjo çështje mund të shtyhet derisa gjykata, e më pas Ministria e Drejtësisë në Francë, të marrin vendim sesi do të veprohet në bazë të administrimit të provave, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”.
“Ekziston rreziku që procesi të mund të zvarritet më tej, për shkak se organet kompetente në Francë, duke nisur nga gjykatat, duhet të shqyrtojnë qëndrueshmërinë, vlefshmërinë dhe vërtetësinë e provave që ka paraqitur Serbia. E për vlerësimin e tyre mendoj se duhet kohë”, thotë ai.
“Sigurisht që Serbia ka paraqitur shumë prova. Kështu që kjo çështje mund të përmbyllet më 2 mars, e përpara kësaj date kurrsesi. Por edhe mund të shtyhet”, tha më tej Salihu.
Profesori Salihu thotë se rastet e tilla kërkojnë kohë, derisa mekanizmat përkatëse të drejtësisë të binden që provat e dorëzuara nuk janë të besueshme.
“Serbia i ka vlerësuar dhe i ka paraqitur provat. Tashmë Franca duhet të bindet dhe të konstatojë se këto prova qëndrojnë vërtet ose jo. Fakti që është caktuar seanca më 2 mars nuk do të thotë domosdoshmërisht se kjo kërkesë do të zgjidhet me një po ose një jo”, tha Salihu.
Ndërkohë, analisti politik Driton Selmanaj mendon se, vonesa e mëtejshme e një vendimi në institucionet e drejtësisë në Francë për Haradinajn nxit dyshime të tjera, përtej çështjeve juridike.
“Zgjatja e vendimmarrjes për Haradinajn nxit dilema. A mund të jetë ndonjë veprim që mund të lidhet edhe me Gjykatën Speciale, kjo ndoshta është herët të thuhet, por këtu gjithçka duket e paqartë dhe ka dilema. Them se zgjatja e mëtejshme nxit dyshime rreth asaj nëse është një proces i pastër, krejtësisht juridik, apo ka diçka tjetër përtej kësaj”, tha Selmanaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u ndalua nga autoritetet franceze më 4 janar në Aeroportin e Bazelit, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, që daton nga viti 2004. Haradinaj ishte komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, pas luftës, themelues i AAK-së, një parti parlamentare që e udhëheq ende.
Top Channel