KLSH tregon shkeljet: Dëmi 534 mln euro

03/02/2017 00:00

Nëpunësit publikë, kryesisht zyrtarët e lartë të shtetit kanë shkaktuar të paktën 534 milionë euro dëme ndaj buxhetit në 2 vite e gjysmë. Shifra, e cila është sa 5.3 përqind e Prodhimit Kombëtar është bërë publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e sapopublikuar për vitin 2016.

Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar enti më i lartë auditues i shtetit ka ushtruar 154 kontrolle të plota në institucione apo kompanitë publike. Por edhe pse kontrollet janë kryer vitin e kaluar, shkeljet e zbuluara në to i përkasin periudhës nga 1 janari i vitit 2013 deri në shtator të 2016-ës.

Sipas KLSH, nga totali i dëmeve të zbuluara 346 milionë euro janë shkelje të disiplinës financiare me pasoja negative në buxhetet e institucioneve të audituara, ndërsa pjesa tjetër prej 188 milionë euro janë parregullsi në të ardhurat apo shpenzimet e kryera.

Brenda këtij zëri shkeljet më të mëdha i përkasin privatizimit dhe dhënies me qira të pronës publike me rreth 110 milionë euro, si dhe abuzimeve në tendera dhe prokurime me rreth 25 milionë euro. 

Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se për këto shkelje ka kallëzuar penalisht 191 zyrtarë. Sipas raportit, pjesa më e madhe e tyre tashmë janë nën hetim nga Prokuroria dhe paralelisht është kërkuar masë administrative nga gjoba deri në largim nga puna për 1515 punonjës të sektorit publik.

Top Channel