Viti i ri kinez, pandat mirëpresin festën

22/01/2017 00:00

Pandat gjigande rreth globit po mirëpresin festivalin e pranverës ose Vitin e ri kinez, që këtë vit bie në 28 janar.

Me rastin e ngjarjes, qendra kineze për ruajtjen dhe kërkimet e Pandave Gjigante organizoi aktivitete në Kinë dhe në 12 parqe zoologjike jashtë vendit që bashkëpunojnë me qendrën.

Në rezervuarin natyror Wolong në jugperëndim të provincës së Sicuanit, pandave iu shpërndanë lodra si dhurata për vitin e ri.

Dekorimet me temën e vitit të ri krijuan një atmosfere festive për 2 pandat që jetojnë në parkun më verior të Kinës, atë të provincës së Heilongjiang.

Për të vetmet panda trinjake në botë, luanët prej pelushi që zbukuronin ambientin e tyre nuk ishin aq të rëndësishme se sa ushqimi i vitit të ri.

Të lindur në korrik të 2014-tës, trinjaket jetojnë në kopshtin zoologjik të Chimelong në Guangzhou. Parqe në qytetin amerikan të San Diegos, në Kuala Lampur e Bruksel përgatiten gjithashtu dhurata e ushqime speciale për pandat gjigante. 26 panda të tilla janë dërguar jashtë Kinës e kanë lindur 17 këlyshë.

Top Channel