“Bill, mjaft më. Jam regjur me ty”

22/01/2017 00:00

E premtja nuk ishte dita e “bekuar” kur bashkëshortja e tij do të mund të bëhej presidente e Amerikës, kjo sepse ish-Sekretarja e Shtetit u mposht në zgjedhjet presidenciale nga Presidenti Donald Trump, por Bill Clinton kishte ende ç’të shijonte personalisht në ceremoninë e betimit të kreut të ri të Shtëpisë së Bardhë.

Në shqip ekziston një shprehje popullore, sipas së cilës “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, një shprehje që mund t’i shkojë për shtat episodit të fundit të kapur nga kamerat gjatë ceremonisë. Ish-presidenti u kap befas teksa “përpinte me sy” Ivanka Trump, në momentin që ajo po mbërrinte në ceremoninë e betimit të të atit.

Bill nisi të lëpinte buzët, si të donte të thoshte “sa e mirë qenka bërë”, e më pas se ç’psherëtiu diçka, përpara se të mbante qëllimisht kokën nga podiumi i vendosur pranë Capitol Hill. Dhe nuk ishin vetëm kamerat që e kapën Billin në këtë moment të papërshtatshëm…

Hillary ishte duke qeshur së bashku me Michelle Obama, kur si pa dashje ktheu kokën dhe vuri re bashkëshortin e saj që nuk e kishte shumë mendjen se çfarë po ndodhte në skenën e ceremonisë. U kthye me një fytyrë tepër serioze, duke i mbajtur Billit një qëndrim mosmiratimi të gjatë, ndërkohë që priste që ai ta kuptonte se gruaja “e kapi mat”. E bëri më në fund, por sërish nën buzëqeshjen që nuk i shqitej nga fytyra.

Ndërsa Hillary ktheu më pas kokën nga skena, si një femër që tashmë “ishte mësuar” me të tilla situata.

Shumë vetë në rrjetet sociale pretenduan se Clinton kishte hedhur sytë nga Ivanka, duke lëshuar një lumë kritikash dhe shakash ndaj ish-presidentit.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel