SHBA, stafi i Trumpit mbërrin në Shtëpinë e Bardhë

20/01/2017 00:00

Stafi i Presidentit Donald Trump ka mbërritur pasditen e kësaj të premteje në Shtëpinë e Bardhë, në më pak se dy orë pasi kreu i ri i shtetit bëri betimin zyrtar.

Raj Shah, zv.drejtori i ri i Komunikimit, u tregoi reporterëve kartëvizitën e tij të re në gjyrë blu, ndryshe nga ato që përdorte administrata e Obamës dhe u tha se ishte i gatshëm t’u jepte “start”-in gjërave.

Ndërkohë, një autokolonë e gjatë transportoi stafin nga zyrat e tranzicionit për në Shtëpinë e Bardhë, teksa Shah tha se ndër të parët ishin ata të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. I pyetur nëse Trumpi do të bënte të tjera lëvizje ekzekutive gjatë orëve të tij të para si president, përveç atyre të firmosura në Capitol Hill, Shah u shpreh se për këtë duhej pritur ende. “Gjithsesi, ju nuk duhet të nisni festimet”.

Shah, një ish-drejtor kërkimesh gjatë fushatës së Trumpit dhe i Komitetit Kombëtar Republikan, tha se shumica e stafit të komunikimit do të gjenden në zyrat ekzekutive “Eisenhower”. Ende nuk dihet nëse Trumpi do të fusë në selinë e tij të gjithë stafin e komunikimit, ndërkohë që në kohën e Obamës, disa prej ndihmësve të komunikimit ishin vendosur në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, aty ku ndodhet edhe zyra e shtypit të Sekretarit të Shtetit.

Pak minuta pas ceremonisë së betimit, Trump firmosi urdhrat e tij të parë si presidenti i 45-të i Amerikës. Ai i dërgoi emërimet e tij të kabinetit në Senat, si dhe një shpallje të firmosur për një ditë kombëtare patriotizmi. Ai firmosi gjithashtu ligjin e tij të parë, duke lejuar një ndryshim që i mundëson gjeneralit në pension, James Mattis, të emërohet në postin e Sekretarit të Mbrojtjes.

Ardhja e presidentit të ri u reflektua edhe në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë, ku politikat e Barack Obamës janë zëvendësuar nga axhenda e re e Trumpit. Pas firmave të para, presidenti Trump i shoqëruar nga zonja e parë Melania dhe anëtarët e tjerë të familjes, u nisën për në paradën tradicionale përmes Uashingtonit drejt Shtëpisë së Bardhë. Vetëm pak minuta në makinën e blinduar, e më pas presidenti Trump zbriti për të ecur në këmbë, duke përshëndetur turmat anash rrugës, shembull që u ndoq edhe nga zëvendësi i tij Mike Pence.

Top Channel