Era Istrefi, tanimë “100 përqind” shqiptare

19/01/2017 00:00

Era Istrefi tanimë është 100 përqind shqiptare. Këngëtarja e lindur në Kosovë e njohur ndërkombëtarisht për muzikën e saj, ka marrë edhe nënshtetësinë shqiptare me një dekret të zyrtarizuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Në një rrëfim ekskluziv në “Top Albania Radio”, Era Istrefi shprehu emocionin për marrjen e pasaportës dhe nuk kurseu falenderimet për ata që e mundësuan marrjen e kësaj pasaporte.

“Falederimet e mia për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ministrinë e Kulturës së Kosovës dhe Shqipërisë janë të panumërta, sinqerisht. Disa gjëra nuk do të kishin ndodhur po të mos ishte kjo pasaportë. Falenderimet e mia janë të panumërta dhe shpresoj se do ta përfaqësoj denjësisht vendlindjen time të dytë anembanë botës”, shprehet Era.

Më tej, këngëtarja që ka pushtuar klasifikimet europiane dhe botërore me hitet e saj, shprehet se viti 2017 do të jetë shumë i ngarkuar me evente të ndryshme muzikore. Së shpejti diva e muzikës mbarëshqiptare do të dalë me produksionin e saj më të ri, shoqëruar edhe me një videoklip.

“Punët e mia për vitin 2017 janë me një turne anembanë botës dhe do të kem mundësi të shkel dhe në ato vende ku duhet viza “Shengen” dhe unë tani do të përfaqësoj të gjithë shqiptarët”, thotë këngëtarja.

Në kulmin e suksesit të saj muzikor, Era Istrefi ndihet 100 përqind shqiptare dhe krenare për të përfaqësuar Shqipërinë e Kosovën kudo në botë.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel