Rex Tillerson në Senat, pyetet për Rusinë

12/01/2017 00:00

Edhe Rex Tillerson, i zgjedhuri i Donald Trumpit për postin e Sekretarit të Shtetit pranoi gjate seancës së konfirmimit të tij në Senat se Presidenti rus Vladimir Putin qëndronte pas hakërimit të zgjedhjeve.

Shqetësimet e ngritura nga demokratët pikërisht për marrëdhëniet e mira të Tillerson me liderin e Kremlinit, ish-kreu i Exxon Mobil u përpoq t’i shuante me pohimin se Rusia paraqet rrezik për Shtetet e Bashkuara dhe se mbështet sanksionet e tanishme kundër saj. Gjithsesi sipas tij ato nuk i vijnë në ndihmë biznesit në SHBA.

“Rusia përbën një rrezik konkret dhe aleatet tanë në NATO kanë të drejtë të alarmohen për rigjallërimin e synimeve të Rusisë. Por dera u la e hapur në mungesë të një lidershipi amerikan”, u shpreh Tillerson.

64-vjeçari i cili nuk ka pasur kurrë një post qeveritar u përball me pyetjet e vështira të komitetit të marrëdhënieve me jashtë të senatit, duke u përfshirë në një debat të nxehtë me senatorin e Floridas, Marko Rubio, në lidhje me Rusinë.

Ky i fundit sugjeroi ndër të tjera se Putin ishte përgjegjës për krimet e luftës ne Aleppo të Sirisë. Por në këtë pike miliarderi teksan refuzoi të pranonte termin kriminel për presidentin rus.

Marrëveshjet e shumta që Tillerson ka lidhur me Rusinë për naftën mund ta komplikojnë konfirmimin e tij në Senat. Në vitin 2013 presidenti Putini i dha Tillersonit Medaljen e Miqësisë, me të cilën Rusia nderon të huajt.

Top Channel