Hamburg, përurohet holli i ri i koncerteve “Elbphilharmonie”

12/01/2017 00:00

 Holli i ri i koncerteve “Elbphilharmonie” u çel në Hamburg, si njëri prej projekteve më prestigjioze kulturore të shekullit të XXI-të, por ai vjen 7 vite më vonë nga sa ishte planifikuar dhe me kosto 10 herë më të lartë nga ç’llogaritej.

 Ndërtesa e re ka për bazë tullat e kuqe, ndërsa pjesën e sipërme ia mbulon një strukture xhami, që bashkë me dritaret e lakuara i ngjason kreshtës së një dallge. Godina është ndërtuar mbi një magazinë të vjetër të vitit 1960, ku ruhej çaj, duhan dhe kakao.

Me pamje nga gjiri i Hamburgut, ajo të kujton një anije duke rrëshqitur mbi ujë dhe është pjesë e një projekti më të madh për shndërrimin e depove dhe magazinave të vjetra të portit kryesor të Gjermanisë, në hapësira rezidenciale dhe zyra.

Kancelarja Angela Merkel, pjesëmarrëse e rregullt e festivalit të përvitshëm të muzikës kushtuar Richard Wagnerit në Bayreuth, ishte e pranishme në ceremoninë e përurimit së bashku me presidentin Joachim Gauck.

Programi përfshinte pjesë nga vet Wagneri, Beethoveni dhe Cavalieri. Adhuruesit e muzikës patën mundësinë të shijonin akustikën e jashtëzakonshme të sallës qëndrore me 2.100 vende, ku asnjë pjesëtar i publikut nuk është më shumë se 30 metra larg dirigjentit.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel