Grabitja e Kardashian në Paris, akuzë formale një të dyshuari

12/01/2017 00:00

Policia franceze njoftoi këtë të enjte vendosjen nën hetim formal të njërit prej të dyshuarve për grabitjen ndaj Kim Kardashian West gjatë fundit të vitit të kaluar.

I dyshuari është identifikuar si 63-vjeçari Yunice A., ndërkohë që përballet me akuzat për “grabitje të armatosur me një bandë të organizuar”, “pengmarrje” dhe pjesëmarrje në një “grup kriminal”. Veç tij, në paraburgim mbeten edhe 9 persona të tjerë.

Kim Kardashiani u kërcënua me armë, u lidh në tualetin e dhomës së hotelit ku rrinte nga grabitësit, e iu vodhën një sërë bizhuterish gjatë kohës që qëndronte në Paris në muajin tetor për “Javën pariziene të modës”.

Ylli i “reality shoë”-t ra prè e grabitjes në një apartament të marrë me qira pranë “Place de la Madeleine”, ndërkohë që truproja e saj kujdesej për të motrën në një klub nate.

Grabitësit vodhën bizhuterira me vlerën e 9 milionë eurove, përfshi një unazë diamanti që vlente 4 mln euro. Tre persona u lanë të lirë pa ngritur akuza ndaj tyre të mërkurën, përfshi këtu shoferin e saj në Paris, Michael Madar.

Dy dëshmitarët e vetëm të ngjarjes, vet Kardashian dhe roja i natës, duket se kanë thënë në polici se agresorët ishin persona “në moshë”. Pamjet e kamerave të sigurisë në rrugën jashtë apartamentit dhanë gjithashtu prova të qenësishme.

Një burim policor tha për “BBC”-në se nga hetimet “duhet të presim që autorët e kësaj ngjarjeje të jenë kriminelë me njëfarë eksperience. Megjithatë, ata duhet të kenë lidhje për të mundur të zhdukin apo shesin bizhuteritë, tashmë që i kanë në duart e tyre”.

Top Channel