Muzeu i arteve narrative “George Lucas”

11/01/2017 00:00

Pas një flirtimi të gjatë me San Franciskon dhe Chikagon, producenti legjendar hollivudian, George Lucas zgjodhi Los Angelesin si shtëpinë e muzeut të tij një miliard dollarësh të artit narrativ.

Krijuesi i luftës së yjeve ka mbledhur një koleksion prej më shumë se 10 mijë pjesësh nga artistë si Norman Rockëell, si dhe objekte me vlerë financiare e sentimentale të Hollivudit, të cilat do të qëndrojnë tani në ambientet e godinës së re në “Exposition Park”.

Mes tyre nuk do të mungojnë sigurisht fotot, ilustrimet dhe arti dixhital, nga saga e famshme kinematografike të cilën Lucas e nisi në vitin 1977.

“Unë besova në vizionin e muzeut ‘Lucas’ dhe këmbëngula që të ishte këtu, sepse e di që Los Angelesi është vendi ideal kur vjen fjala për një kontakt sa më të gjerë të mundshëm me publikun”, tha Eric Garcetti, kryetar bashkie i Los Angelesit.

Muzeu, fillimisht u planifikua të ngrihej në Chicago, por producenti hasi në disa pengesa ligjore nga një grup i hapësirave urbane dhe vendosi ta tërhiqte projektin.

Garcetti u ofrua menjëherë ta mirëpriste ngritjen e muzeut në Los Angeles. Vendi i propozuar për ndërtesën madhështore do të jetë ngjitur me Universitetin e Kalifornisë së Jugut, ku Lucas studioi për Regjisurë, e ku u takua me ata që do të bëheshin më vonë bashkëpunëtorët e tij, përfshirë Steven Spielberg.

Top Channel