Fjalimi i lamtumirës, Obama: Mbroni demokracinë!

11/01/2017 00:00

Fjalimin e tij të lamtumirës, Presidenti Barack Obama e përdori për t’u kërkuar amerikanëve të mbrojnë demokracinë e tyre. “Amerika është sot, në çdo drejtim, një vend më i mirë e më i fuqishëm nga sa ishte 8 vite më parë”, tha shefi në largim i Shtëpisë së Bardhë përpara simpatizantëve të mbledhur në qendrën e konventave “McCormick Place”.

Por ai paralajmëroi njëkohësisht se demokracia vihet nën kërcënim, kur merret si e mirëqenë.

“Mbrojeni mënyrën tonë të jetesës më shumë sesa ushtrinë. Demokracia mund të vuajë kur i dorëzohemi frikës. Ndaj, si qytetarë duhet të mbetemi vigjilente ndaj agresionit të jashtëm, duhet të ruhemi nga dobësimi i vlerave që na bëjnë këta të cilët jemi sot”, tha Obama.

Obama thuajse iu lut amerikanëve të të gjitha shtresave e origjinave, t’i shohin gjërat edhe nga këndvështrimi i njëri-tjetrit. “Duhet të tregohemi të vëmendshëm e të dëgjojmë”, ishte këshilla e tij. “Ju kërkoj të besoni, jo në aftësinë time për të sjellë ndryshim, por në tuajën”.

Presidenti i parë me ngjyrë i Amerikës e mori fillimisht postin në vitin 2008, me një mesazh shprese dhe ndryshimi. “Ama ndryshimi, – iu tha ai amerikanëve, – ishit ju vetë, ndërsa mua më bëtë një njeri më të mirë”.

Pas kësaj erdhi edhe një homazh prekës drejtuar Zonjës së Parë, Michelle Obama, për të cilën tha i përlotur se e bëri Shtëpinë e Bardhë një vend që i përket të gjithëve.

“Michelle, Michelle LaVaughn Robinson, ti vajzë jugu ke qenë për këto 25 vite jo vetëm bashkëshortja dhe nëna e fëmijëve të mi, por edhe mikja ime më e mirë. Ti more mbi shpatulla një rol, të cilin nuk e kërkove, megjithatë e përmbushe me hir dhe guxim, me stil e humor. Një brez i tërë tani e hedh vështrimin më lart, sepse të ka ty si model”, tha Obama.

Pasardhësi i tij Donald Trump, që e bën betimin më 20 janar, është zotuar t’i përmbysë disa prej politikave më të rëndësishme të Obamës. Njerëzit në qendrën e konventave nisën në një moment të thërrasin: edhe 4 vite të tjera! Por Obama u përgjigj duke buzëqeshur: Atë nuk e bëj dot!

Kushtetuta amerikane nuk u lejon presidentëve të marrin më shumë se dy mandate.

Top Channel