Festimet për Vitin e Ri 2017 anembanë botës

31/12/2016 00:00

Ishullin e Tongës dhe ishujt Chatham, zor se i njeh kushdo, por ato janë të parët që presin ndërrimin e viteve, ashtu siç përshëndesin çdo ditë të re. Këta ishuj të vegjël të Paqësorit, pa bujë përcjellin të parët vitin e vjetër për t’i lënë fishekzjarret dhe zhurmën Zelandës së Re, shteti i parë i madh që feston mbërritjen e Vitit të Ri.

Neozelandezët përshëndetën me zhurmën dhe ndriçimin e fishekzjarreve ardhjen e vitit 2017, një shfaqje spektakolare në lartësinë 328 metra nga maja e kullës “Sky Tower” në Auckland.

Mijëra banorë dhe turistë mbushën rrugët e qytetit për të parë festivalin e dritave, që i dhanë ngjyrë minutave të para të Vitit të Ri mbi portin e qytetit. 500 kilogramë fishekzjarre dhe 5 muaj planifikim u deshën për spektaklin tradicional, që organizatorët thonë se nuk lodhen kurrë për ta realizuar.

* E nëse Zelanda e Re është dollia e parë e Vitit të Ri, nuk ka dyshim se Australia përbën pjatën e tij të parë, me spektaklin shumëngjyrësh të fishekzjarreve që vijnë nga ura legjendare e portit të Sidnejit dhe Teatri i Operas së qytetit. Një shfaqje që shihet nga e gjithë bota dhe australianët nuk zhgënjejnë kurrë pritshmëritë.

Më shumë se 1.5 milionë njerëz ndoqën nga terreni shfaqjen e dritave, që kushtoi 7 milionë dollarë dhe ku u përdorën mijëra fishekzjarre dhe mbi 100 mijë efekte individuale.

Masat e mëdha të sigurisë, në kuadër të operacioneve të fundit antiterror në vend, nuk e kanë zbehur aspak festën, megjithëse prania e më shumë se 2.000 oficerëve në zonat e portit të Sidnejit nuk kaloi pa u vënë re.

Nga ishujt e Oqeanisë, festa kaloi në Azi, ku ishulli i samurajve dhe Koreja e Jugut i hapën rrugën festimeve në kontinent. Tokio dhe Seuli ndezën netët respektive me fishekzjarre, të pasuara në mënyrë mjaft speciale, gjysmë ore më vonë, nga Koreja e Veriut, e cila e ka orën e saj ndryshe nga fqinjët.

Hong Kongu bashkë me Kinën dhanë gjithashtu përshëndetjen e tyre për mbërritjen e Vitit të Ri, që orë pas ore i afrohet Europës dhe vendit tonë. Ishujt e Hauait do të jenë nga të fundit, që do të mirëpresin 2017-n, atëherë kur ne në Shqipëri do të jemi zgjuar prej orësh në ditën e parë të Vitit të Ri.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel