Atmosfera e festave të fundvitit do të zbresë edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, mbrëmjet e 28 dhe 29 dhjetorit. Baleti ikonë i Krishtlindjes, “Arrëthyesi” nuk do të mungojë edhe në skenën shqiptare.

“Është një koreografi tërësisht e re, kemi bërë nëj risjellje ndryshe sa i përket kostumografisë. Ngjarja zhvillohet në një shtëpi presidenciale dhe kam menduar pikërisht që të jetë një sallon mondan sa i përket veshjeve. Historia nuk ndryshon asnjëherë, skenografia mund të ndryshojë me kalimin e kohës, por risi është gjithmonë koreografia në këtë rast”, tha Enada Hoxha, drejtore baleti në TKOB.

“Arrëthyesi”, kompozimi i njohur i Tschakovskit, do të vijë si një pjesë e pazëvendësueshme e skenave botërore në prag festash.

“Unë mendoj se disa vepra të repertorit klasik duhet të mbeten klasik, siç kanë mbetur edhe përrallat klasike. Ashtu duhet të jetë edhe historia, e tillë duhet të përçohet edhe në balet. Unë jam gjithmonë për të përçuar më klasiken dhe më luksin në skenë, sepse mendoj se kjo e bën më tërheqëse baletin apo edhe operën”, tha më tej Enada Hoxha.

“Arrëthyesi” do të mbyllë me atmosferë festive sezonin në TKOB, ndërsa për sezonin e ri dhe fatin e skenës aktuale të këtij institucioni, që do t’i nënshtrohet shpejt rikonstruksionit, do të duhet të pritet ende fillimi i vitit tjetër.

Top Channel