Trump përmbys Obamën: Amerika të zgjerojë e fuqizojë arsenalin bërthamor

22/12/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka shkruar këtë të enjte përmes “Twitter”-it se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjerojnë arsenalin e tyre bërthamor, në atë që duket si një kthesë e papritur e strategjisë disa dekadashe të vendit për reduktimin e armëve bërthamore të Amerikës.

“Shtetet e Bashkuara duhet ta forcojnë ndjeshëm dhe ta zgjerojnë më tej aftësinë e saj bërthamore, derisa bota të kuptojë me të vërtetë se çdo të thonë armët bërthamore”, shkruan Trump.

Pararendësi i tij, presidenti në largim Barack Obama ka reduktuar arsenalin bërthamor amerikan, falë një marrëveshjeje të arritur gjatë mandatit të parë të presidencës së tij me Rusinë, e gjithashtu u zotua se do ta modernizonte atë për të zëvendësuar mijëra bomba dhe raketa.

Plani i tij i modernizimit, i cili sipas Shoqatës për Kontrollin e Armëve do të kushtojë thuajse 1 trilion dollarë për një periudhë 30-vjeçare, është kritikuar ashpër nga mbështetësit e denuklarizimit, të cilët paralajmërojnë se kjo mund të nxisë një garë të re armatimesh me Rusinë dhe Kinën.

“Lockheed Martin Corp.”, “Boeing Co.” dhe “Northrop Grumman Corp.” janë në një garim mes tyre për ndërtimin e raketave ndërkontinentale balistike të gjeneratës së re, kryesisht për “Air Force”, një projekt që pritet të kushtojë të paktën 85 miliardë dollarë. Kjo është vetëm një pjesë e planit të modernizimit, që do të kontribuojnë në atë që analistët e mbrojtjes e quajnë një valë e madhe shpenzimesh në dekadat e ardhshme për armatime me të cilën do të përballen presidentët e ardhshëm.

Top Channel