Vrasja e ambasadorit rus në Ankara, SHBA dhe Gulen mohojnë akuzat

21/12/2016 00:00

Reagimet pas vrasjes së ambasadorit rus në Turqi vazhdojnë, më së shumti nga palë të akuzuara jo drejtpërdrejt për ngjarjen që mund t’i kishte vendosur sërish në kurs përplasjeje dy vendet e riafruara pas ftohjes së marrëdhënieve mes tyre.

Ndihmës të ngushtë të klerikut të mërguar fetar, Fethullah Gulen, thonë se organizata e tij nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e rëndë.

“Mendoj se kjo është një përpjekje e dëshpëruar e qeverisë turke, për të tërhequr vëmendjen nga gafat e qarta të sigurisë që rrethojnë këtë incident. Në rrethanat aktuale, siguria e ambasadorit duhej të kishte qenë shumë e rreptë”, tha Alp Aslandogan, përfaqësues i Fetullah Gulen.

Departamenti amerikan i Shtetit i quajti gjithashtu “qesharake” pretendimet se Uashingtoni ka pasur gisht në vrasjen e përfaqësuesit zyrtar të shtetit rus në Turqi.

“Sekretari i Shtetit ka ngritur shqetësime mbi retorikën qe vjen nga Turqia, lidhur me përfshirjen amerikane, qoftë ajo edhe e heshtur në vrasjen e tmerrshme, e kjo për shkak të pranisë së zotit Gulen këtu në Shtetet e Bashkuara. Ky është një pretendim absurd dhe krejtësisht i pavërtetë”, tha John Kirby, zëdhënës i DASH-it.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, e dënuan ashpër vrasjen e Andrei Karlovit dhe deklaruan që të dy se qëllimi i atentatorëve dhe i personave që kanë urdhëruar sulmin ishte cënimi i raporteve mes Rusisë dhe Turqisë.

Top Channel