Siguria kibernetike bllokon një pjesë të faqeve në internet nga një alarm global, mund të prekë edhe shërbimet qeveritare “Na urrejnë, na vrasin dhe askush nuk na mbron”. Postimi në “Twitter” i kreut të “Partisë së Lirisë” në Holande, Gert Wilders, ka shkaktuar jo pak polemika, e arsyeja nuk është vetëm mesazhi i tij, por edhe fotomontazhi shokues që e shoqëron: ajo e Kancelares gjermane Angela Merkel me duart dhe fytyrën të mbuluar në gjak.
“Merkel, Rutte dhe udhëheqësit e tjerë burracakë kanë provokuar cunamin e azilit dhe të terrorizmit islamik me vendimin për të hapur kufijtë”, vazhdon ultranacionalisti.
Ngjarja e përpara dy ditëve i ka dhënë një tjetër grusht të fortë pozitave politike të Merkelit, që kërkon një mandat të katërt në postin e shefes së ekzekutivit. Eksponentët e partisë gjermane antiemigracion “Alternativa për Gjermaninë” janë hedhur në sulme të egra ndaj kancelares, duke e akuzuar se ka gënjyer mbi situatën e sigurisë së vendit.
“Ngjarje si ajo e Berlinit do të jenë trashëgimia e Merkelit”, ishte komenti i Nigel Farage, ish-kreu i partisë britanike anti-BE, “UKIP”. Të njëjtin pozicion mban dhe mbesa e Marine Le Penit, Marion, e cila thotë se terroristi islamik i Berlinit është një emigrant dhe përgjegjësia për episodin e dhunshëm rëndon mbi Merkelin.
Edhe vet koalicioni i madh i saj përpëlitet mes tensioneve me CSU-në, ndaj në një fushatë elektorale të çelur mes një klime kaq të tensionuar politike dhe sociale, Angela Merkel do të ketë nevojë për shumë solidaritet.
Top Channel