Rusi, rritet numri i viktimave që konsumuan metanol në vend të alkoolit

21/12/2016 00:00

Numri i personave që kanë humbur jetën në Rusi, si pasojë e konsumimit të vajit të banjës është rritur nga 49 në 58, siç raportojnë mediet lokale. Pjesa më e madhe e 37 personave që u shtruan në spital janë ende nën kujdes mjekësor, e disa prej tyre janë në gjendje serioze.

Lëngu toksik ishte konsumuar si të ishte alkool, – thonë hetuesit rusë, – por ai përmbante metanolin helmues, që veç të tjerave mund të shkaktojë edhe verbëri.

“Siberian Times” shkruan se, helmimi masiv në Irkutsk është rasti më i rëndë i ngjashëm i regjistruar deri më tani në historinë moderne ruse. Ministri rus i Shëndetësisë tha se, pothuajse gjysma e personave që janë ende në spital mund të humbasin jetën, pasi gjendja e tyre është shumë kritike.

“Ata kanë ardhur te mjekët shumë vonë. Vetëm një mrekulli mund t’i shpëtojë”, ka thënë ai.

Një mjek dhe një edukatore kopshti janë mes viktimave, ndërsa shumë nga ata që kanë humbur jetën janë gjetur në shtëpitë e tyre, pasi nuk kanë pasur kohë as të thërrasin ambulancat. Pjesa më e madhe e viktimave janë mes 35 dhe 50 vjeç.

Një 33-vjeçar i mbijetuar tha se kishte pirë vetëm një sasi të vogël të përbërjes, por ishte ngritur thuajse i verbër mëngjesin pasues. Produktet artizanale konsiderohen nga shumëkush si një alternativë e lirë e alkoolit në Rusi. Shishet me përmbajtje të ndryshme, zakonisht mbajnë paralajmërime ku shkruhet se nuk duhet të konsumohen, por korrespondentët thonë se në etiketën e shisheve që shkaktuan këtë helmim thuhej se produkti përmbante alkool etilik dhe jo metanolin vdekjeprurës.

Analistët thonë se 12 milionë rusë konsumojnë zëvendësuesit e lirë të alkoolit, përfshirë këtu parfumin, përbërjen e pas rrojes, antingrirësit ose pastruesit e xhamave. Dy vite sanksione perëndimore kanë ndikuar, ndërkohë, në përkeqësimin e situatës.

Top Channel