Skulptorë të huaj dhe vendas po punojnë në një atelie të hapur në natyrë në Sarandë. 6 veprat e tyre prej mermeri, të frymëzuara nga deti, janë punimet që u përzgjodhën në simpoziumin “Magjia e detit”, ku morën pjesë 12 skulptorë nga Kanadaja, Ukraina, Maqedonia, Greqia e Shqipëria.

Me daltë, prerëse dhe kompresorë, mjeshtrat e ndihmuar edhe nga asistentët e tyre po realizojnë në kohë rekord skulpturat me titull “Prerja e Artë e Detit”, “Ëndrra”, “Afërdita”, “Delfinët”, “Pulëbardhat” dhe “Dallga”.

“Më pëlqente figura e delfinit dhe ajo ishte pikësynimi. Kisha dëshirë që këtu në Sarandë të vendoset një skulpturë e tillë”, tha Niko Godroli, skulptor.

“Koncepti i prerjes së artë gjendet në natyrë, në të gjitha gjendjet. Më pëlqen ta gjejmë edhe në mendimin tonë”, tha skulptori Vasil Vasili.

Edhe skulptorët Genti Tavanxhi, Lesko Ligu, Apostol Londo janë duke i dhënë dorën e fundit veprave të tyre buzë detit.

Drejtori i Galerisë së Artit, Saranda thotë se tashmë galeria ka dalë jashtë godinës në shëtitore për t’i shërbyer edukimit estetik të publikut.

Në Galerinë e Artit presin që kjo ngjarje kulturore të plotësojë boshllëkun me vepra arti në qytet.

Top Channel