Jon Tarifa: Ja se si lindi klipi për Barack Obamën

14/12/2016 00:00

“Dont’ go” është një këngë e Jon Tarifës, këngëtarit shqiptar që vazhdon karrierën në Holandë. Klipi i kësaj kënge po bën së fundmi xhiron e rrjetit, deri tek vajzat e Obamës, të cilat e kanë shpërndarë në faqen e tyre në Facebook. Arsyeja? Në të përmblidhen momentet më të bukura të Presidentit në ikje nga Shtëpia e Bardhë, Barack Obama.

Në një intervistë për “Wake Up” në Top Channel, Tarifa ka thënë se kënga fillimisht nuk është nisur për të.

“Kënga është për çdokënd që do t’i thotë dikujt “Don’t go”. Ky version, le ta quajmë politik, me momentet më pikante të Barack Obamës lindi nga Spiros Lena. Ne u kërkuam në rrjete sociale njerëzve të na dërgonin çaste me të dashurit e tyre të zemrës, në mënyrë që në fund t’i mblidhnim në një klip. Po na vinin deri në pesë video në ditë, derisa po aty na mbërriti edhe kjo video që na habiti krejt. Na u duk aq shumë profesionale në montazh sa vendosëm ta shpërndanim menjëherë”,- ka thënë Tarifa.

Videoja është bërë hit në rrjet, e kjo ka bërë që kënga të dëgjohet më shumë, por Jon Tarifa thotë se klipi, ashtu siç është ideuar në fillim, do të realizohet gjithsesi.

Top Channel