Rama: “Moody’s”, vlerësim kuptimplotë situatës ekonomike

09/12/2016 00:00

“Një tjetër vlerësim kuptimplotë” e ka cilësuar kryeministri Rama vlerësimin e agjencisë së kreditimit “Moody’s” për gjendjen financiare në Shqipëri.

“Koorporata ndërkombëtare e vlerësimit financiar, “Moody’s”, në vlerësimin e saj për Shqipërinë nënvizon se pozicioni financiar i vendit është përmirësuar falë disiplinës fiskale. Sipas raportit të “Moody’s”, ecuria e fortë buxhetore mbështet parashikimin se në 2016-n defiçiti do të zbresë në 2.5 për qind, më i ulëti në dy dekada!”, ka komentuar Rama në Facebook.

Sipas Ramës, “Moddy’s” konstaton se borxhi ynë publik tashmë ka filluar të ulet dhe konfirmon qëndrimin e qeverisë se vitin e ardhshëm ai do të zbresë në 69 për qind, i ndihmuar edhe nga gjallërimi i aktivitetit ekonomik.

“Gjithnjë sipas “Moody’s”, pas vitit 2014 rritja ekonomike ka qenë me bazë më të gjerë, e mbështetur si nga forcimi i konsumit ashtu dhe investimet private. Rritja ekonomike do të jetë 3.4 për qind këtë vit dhe do të vazhdojë të përshpejtohet deri në 4.1 për qind gjatë dy viteve të ardhshme.

Raporti i “Moody’s” nënvizon se forcimi i rritjes ekonomike dhe lufta kundër informalitetit kanë rezultuar në një përmirësim për t’u theksuar në tregun e punës, duke ulur 2.9 për qind papunësinë!

Kjo nuk do të thotë aspak se gjërat po shkojnë fjollë, por padyshim do të thotë shumë për ata që duan të shikojnë, duan të dëgjojnë dhe duan të kuptojnë! Shqipëria vazhdon kthesën në drejtimin e duhur përmes reformash rrënjësore që garantojnë të ardhmen”, ka thënë Rama.

Top Channel