Taksa për gazin bashkon PD me LSI, Basha e Vasili kërkojnë ndryshimin e ligjit

30/11/2016 00:00

Tashmë Lëvizja Socialiste për Integrim e ka bërë zyrtare kundërshtimin për rritjen e çmimit të gazit për automjetet. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka depozituar në Kuvend amendamentin ku kërkon heqjen e nenit 4 të projektligjit të paraqitur për akcizat.

“Si propozues i këtij amendamenti gjykoj se kjo është një kosto që e rëndon buxhetin e familjarëve, pasi rritja është tepër e lartë, krahasuar kjo me çmimin aktual të gazit që përdoret për furnizimin e automjeteve të qytetarëve”, shkruan Vasili në argumentin e tij.

Por për kreun e grupit parlamentar të LSI-së, përveçse rëndohet buxheti i familjarëve me rritjen e çmimit me 25%, do të ketë impakt edhe në mjedis. Sipas objektivave të paraqitura nga qeveria, 16% e kontributit total të reduktimit të ndotjes, do të kryhet nga zëvendësimi i karburantit të makinave me gazin natyror.

“Një akcizë prej 13 lekësh/litër do të dekurajonte përdorimin e gazit natyror dhe do të vështirësonte përmbushjen e këtyre objektivave”, argumenton z. Vasili.

Kundër kësaj takse të re është edhe Partia Demokratike, e cila shikon pas propozimit të qeverisë interesa klienteliste të saj, në dëm të qytetarëve.

“E ka rritur se ndërkohë që qytetarët konvertojnë makinat e tyre nga nafta apo benzina në gaz, sepse gazi është më i lirë, ky do të mbrojë klientët e tij, duke i detyruar qytetarët të blejnë naftë ose gaz, ose t’ia paguajnë këto para Edi Ramës. Kjo është një masë që ndihmon një grusht klientësh të Edi Ramës në sektorin e hidrokarbureve dhe ndonjë ministër që është ortak me ta”, ka deklaruar kryetari Lulzim Basha.

Sipas Bashës, në këtë frymë, duke i marrë shumicës për t’i dhënë pakicës, Edi Rama ka hartuar edhe buxhetin 2017, i cili diskutohet të enjten në Kuvend dhe që kreu i opozitës thotë se është buxheti i tij i fundit.

“Edi Rama, që 3 vite më parë erdhi në pushtet me premtimin se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa, u mori shqiptarëve këto 3 vite në total 1.5 miliard dollarë më shumë, duke u rritur taksat, jo duke përmirësuar mbledhjen e tyre, por duke u rritur taksat”, ka thënë Basha.

Kreu i opozitës ka theksuar se alternativa e tij është e kundërta e Edi Ramës. “Ne do të ulim taksat, ne do t’i japim Shqipërisë taksën e sheshtë 9%, TVSH 15%, asnjë lek i qeverisë sime nuk do të shkojë për palma, për luks, për ekspozita, nuk do të shkojë për 11 miqtë e Lulzim Bashës”, ka shtuar Basha.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA