Në fillim “Brexit”, pastaj Trump… Italia, në radhën e valës populiste?

27/11/2016 00:00

Në qendrën historike të Ferraras, një statujë imponuese e Girolamo Savonarola vihet përballë kalimtarëve. Savonarola, një djalosh i zonës, ishte një predikues i zjarrtë dhe helmues i shekullit të XV, duke u bërë denoncues i gjërave të kota të laicitetit, idhujve të të pafeve dhe korrupsionit të elitave të klerikëve.

Monumenti e ngre atë si “fshikulluesin e epokës së korruptuar dhe skllevërve, të mbushur plot me vese dhe tiranë”. Savonarola u var për shkak të problemeve të tij në vitin 1498, por prania e një figure kaq përçarëse në Ferrarën e kohëve të sotme duket e prirur enkas për këtë muaj, pasi qyteti verior i Italisë do të presë një grup ikonathyesish modernë me misionin e tyre për të “pastruar” vendin.

Në një mbrëmje të ftohti të llahtarshëm, deputetë dhe senatorë të “Lëvizjes 5 Yjet”, të drejtuar nga Beppe Grillo, komediani i kthyer në politikan, i kërkoi turmës së pranishme të shfrytëzojnë referendumin mbi ndryshimet kushtetuese më 4 dhjetor për t’i dhënë kryeministrit Matteo Renzi valixhet në duar.

Renzi, një udhëheqës i ri i Partisë Demokratike të qendrës së majtë ka vendosur pikërisht autoritetin e tij pas propozimeve për t’i kufizuar pushtetin Senatit, njëra prej dhomave të Parlamentit italian. Plani i tij përfshin uljen e numrit të senatorëve, nga 315 në 100, me të gjithë këta që do të emërohen dhe jo të zgjidhen, siç bëhet deri më tani, si dhe t’u kufizojë atyre fuqitë për të ndikuar në legjislativ.

Që prej vitit 1948, Kushtetuta italiane ka ofruar një balancë perfekte pushteti mes dy dhomave të Parlamentit, duke çuar shpeshherë në një bllokadë legjislative në Romë. Renzi pretendon se ulja e rolit të Senatit, së bashku me reformat e tjera për të forcuar pushtetin ekzekutiv, do të çlirojë më në fund qeveritë dhe do t’i bëjë ato të qeverisin. Më e rëndësishmja është se ai ka deklaruar se do të dorëhiqet, nëse vota e këtij referendumi shkon kundër tij.

Në një epokë tjetër, një debat i thatë dhe teknik mund të kishte shqetësuar pak njohës konstitucionalistë, por nuk është ky rasti për demokracitë perëndimore. Nga sheshi “Trento e Trieste” i Ferraras, Alessandro Di Battista, një figurë e shquar në rritje e lëvizjes së Grillos, lëshoi një thirrje populiste: Referendumi i Renzit është vetëm hapi i fundit i një klase politike të vendosur për të izoluar veten nga njerëzit, ndaj të cilëve duhet të shërbejnë.

“Zgjedhja e Donald Trumpit është një çështje e popullit amerikan, – tha ai. – Por ajo që treguan këto zgjedhje, është fakti se shumë njerëz thjesht nuk po bien më prè e parive politike”.

Për veteranët e “Brexit” dhe mbikëqyrësit e zgjedhjeve që nxorën fitues Trumpin, gjithçka duket se është përfshirë në një unazë çuditërisht e njohur: Sovraniteti i përket gjithmonë popullit.

Top Channel