Votat nga Tirana, Crawford voton Trumpin

09/11/2016 00:00

Dhoma Amerikane e Tregtisë për të tretat zgjedhje me radhë, zhvilloi në Tiranë “Mbrëmjen zgjedhore” ku dhjetëra figura të njohura të biznesit dhe jo vetëm ndoqën procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara. I pranishëm, ambasadori Donald Lu, theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe forcën e qytetarëve, madje duke përmendur dhe zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.

“Deri nesër në mëngjes populli amerikan do të ketë zgjedhur një president te ri. Në qershor të vitit të ardhshëm, Shqipëria do të zgjedhë një Kuvend të ri. Demokracia është njëra prej gjërave që na lidh së bashku si amerikanë dhe si shqiptarë. Ajo është e rrëmujshme. Është e ndërlikuar. Është shpesh e mbushur me konflikte dhe polemika, sikurse ishte këtë vit në Shtetet e Bashkuara. Një nga liritë e garantuara nga themeluesit e vendit tonë është aftësia për t’i mbajtur udhëheqësit tanë përgjegjës përmes zgjedhjeve. Kjo është një liri që shumë amerikanë dhe shqiptarë të guximshëm kanë luftuar për ta mbrojtur. Por, ne mundemi ta fitojmë dhe ta nderojmë këtë liri për të cilën është luftuar shumë, vetëm në se votojmë. Ata shqiptarë që kanë jetuar nën komunizëm dhe diktaturë e dinë se sa e çmuar është kjo liri. Le të festojmë sonte lirinë tonë për të votuar, lirinë tonë për t’i zgjedhur vetë udhëheqësit tanë dhe lirinë tonë për të jetuar në shoqëri demokratike”, deklaroi ambasadori Lu.

Një votë për Donald Trump është siguruar nga presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, i cili nuk ngurron të tregoi arsyet se pse ka votuar për kandidatin republikan.

“Unë votova për Trump dhe ka lidhje me taksat. Ne amerikanët jemi tatuar sipas pasaportës, ndërsa të huajt sipas rezidencës. Por, para 6 vitesh ka hyrë një ligj që detyron të gjitha bankat për të spiunuar amerikanët. Disa banka kanë përjashtuar amerikanët që janë jashtë SHBA-ve dhe nuk mund të kenë një llogari kursimi, nuk mund të marrin një fond investimesh apo hua për shtëpi. Luftëra? Nuk frikësohem por besoj se nuk kemi për çfarë të luftojmë. Gjatë administratës Bush dhe atë të Obamës kemi hyrë në disa luftëra që tani duket sikur nuk ka shumë sens”, deklaroi Crawford.

Crawford e pranon se shqiptarët kanë një tërheqje ndaj familjes Clinton, por ka dhe një mesazh për këtë qasje.

“E kuptoj që në kulturën shqiptare jeni shumë besnik. Nëse dikush ju ka bërë nder, atëherë respektoni bashkëshorten, fëmijët, kushërinjtë etj, por në Amerikë nëse Bill Clinton ka bërë mirë nuk do të thotë se kështu do të bëjë edhe Hillary”, vijoi kreu i Dhomës Amerikane te Tregtisë
Gjatë kësaj mbrëmje të pranishmit zhvilluan një votim, ku në përfundim, fituese rezultoi Hillary Clinton me 65 për qind të votave.

Top Channel