Hetimi ndaj Clinton, Drejtori i FBI-së mbështetet nga Presidenti Obama

31/10/2016 00:00

I gjendur mes një furtune politike për shkak të publikimit të hetimit të ri për postën elektronike të Hillary Clinton,  drejtori i FBI-së James Comey ka marrë mbështetjen e vetme që i duhet për të qenë i qetë.

Presidenti amerikan, Barak Obama tha se nuk beson që Comey të jetë duke u përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale. Fjalët e Obamës u transmetuan te shtypi nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest, i cili shtoi se Shtëpia e Bardhë nuk ka ndërmend as të mbrojë dhe as të kritikojë vendimin e FBI-së.

“Presidenti nuk beson që kreu i FBI-së ka një strategji sekrete që shkon në favor të një kandidati apo një partie politike. Ai gjendet në një pozitë të vështirë dhe do të jetë në gjendje që të mbrojë veprimet e tij përballë një serie kritikash nga ekspertë ligjorë, përfshirë individë që kanë shërbyer në pozicione të larta në Departamentin e Drejtësisë nën presidentë të të dyja partive”, deklaroi Earnest.

Ai shtoi se Shtëpia e Bardhë nuk pati asnjë rol në vendimin e Comey për të informuar Kongresin për rihapjen e hetimit. I pyetur nga gazetarët, Earnest theksoi se Presidenti Obama ka besim tek drejtori i FBI-së pavarësisht kritikave që ka marrë së fundmi. Sipas Earnets, Obama e vlerëson drejtonin e FBI-së tej mase dhe është i sigurt se ai ka aftësinë që të bëjë punën e tij.

Top Channel