Nis rrugëtimin “Dua të të bëj të lumtur”

30/10/2016 00:00

“Dua të të bëj të lumtur” ka nisur rrugëtimin 10-javor mbrëmjen e së shtunës në ekranin e Top Channel duke mbajtur mbërthyer para ekranit mijëra shikues.

Historia e Gersit të vogël, vetëm 8-vjeçar, ishte historia e parë që preku publikun. “Dua të të bëj të lumtur” sapo ka nisur misionin e tij.

“Dua të të bëj të lumtur” realizoi dëshirën e dy fëmijëve, që kërkonin të bënin të lumtur babain e tyre, Ismailin, një zhytës që u ka shpëtuar jetën qindra personave gjatë jetës së tij. Ai përjetoi një emocion të veçantë nga fëmijët, të cilët i dhuruan eksperiencën unike të zhytjes në akuariumin më të madh në botë: atë të Dubait.

Marsida ishte historia e fundit e kësaj të shtune. Prej 9 vitesh, ajo është në kërkim të paqes me babain e saj.

Bashkimi i familjes momentalisht është një mision i pamundur, por “Dua të të bëj të lumtur” duket se ka thyer akullin, për një paqe qoftë edhe të largët në familje.

Spektakli i emocioneve të mëdha ka gjetur përkrahjen e publikut menjëherë. Kanë qenë të shumta reagimet dhe postimet në rrjetet sociale gjatë transmetimit të spektaklit, por edhe pas tij. Produksioni ka në fokus temat sociale, histori familjare dhe të veçanta, faljeje e pendese.

Në 6 muaj përgatitje janë rreth 1.000 histori personale, 2.400 persona të kontaktuar dhe 50 qytete të shkelura nga stafi i këtij emisioni, për të çuar kudo emocione dhe lot gëzimi.

Top Channel