Trajneri i U21, Jupi: Misioni u krye! Më shumë talente nga Shqipëria

13/10/2016 00:00

Përfaqësuesja kuqezi e U21-shit e ka mbyllur me humbjen 4-0 në Izrael fazën kualifikuese të Europianit të vitit 2017, në vendin e katërt, në kuotën e 12 pikëve. Edhe pse pa një objektiv të përcaktuar për kualifikim, kuqezinjtë e vegjël e filluan me një tjetër formacion dhe e mbyllën me një tjetër këtë fazë kualifikuese.

Në një intervistë për Top Channel, trajneri i tyre Red Jupi sqaron se, misioni i tij është kryer: tashmë një pjesë e lojtarëve kanë siguruar ftesën për te Kombëtarja A, edhe pse në disa momente e kanë vështirësuar garën e përfaqësueses U21.

“Mbërritëm deri atyre dhe luajtëm mundësitë tona. Sigurisht që mungesat patën ndikimin e tyre. Por nëse ekipi A i kërkon lojtarët, ata detyrimisht duhet të shkojnë. E para për vet lojtarët është një kënaqësi shumë e madhe. Nëse ata thirren, është e pamundur të kthehen në një hallkë më poshtë. Historia dhe eksperienca e kanë treguar këtë, sepse më pas humbet edhe motivacioni”, tha Jupi.

Për të mbetur te mungesat, Jupi ka një peng dhe ai quhet Milot Rashica.

“Lojtarë si Rashica janë lojtarë që do të na mungojnë gjatë. Nuk janë lojtarë që mund t’i zëvendësojmë me thjeshtësi. Megjithatë, ai ka bërë një zgjedhje personale dhe ne do të kënaqemi ta shohim atje ku luan ai”, tha Jupi.

Përpara postit të trajnerit, Redi Jupi ka qenë edhe shef i ekipeve kombëtare, i ngarkuar shpeshherë si ndërmjetës për të bindur shumë lojtarë nëpër Europë, që të luanin për përfaqësuesen kuqezi.

“Në kohën time, prindërit vinin vetëm ndonjëherë kur i binte rruga për të parë ndeshjen. Ndërsa sot, prindërit janë pjesë e pandashme e lojtarit, janë menaxherë, kanë interesa rreth e përqark”, shprehet më tej Jupi.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit duket se ka filluar prej mëse 3 vitesh t’i paraprijë lëvizjes së lojtarëve, nga ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë drejt asaj të Kosovës.

“Të them të drejtën, raporti ka qenë shumë më i madh përpara dy apo 3 viteve, ndërkohë që tani raporti nuk është aq i madh. Sot kemi më shumë lojtarë shqiptarë të Shqipërisë, sesa shqiptarë të Kosovës. Por do të shpresoja shumë të mos ketë përplasje të këtij lloji”, deklaron Jupi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA