SHBA, vriten dy policë në krye të detyrës. Askush nuk del në protestë

09/10/2016 00:00

Me qindra oficerë policie dhe anëtarë të ekipeve të emergjencës nderuar karvanin mortor të dy oficerëve të policisë që u vranë në krye të detyrës në qytetin “Palm Springs” në Kaliforni.

Dy oficerët humbën jetën ndërsa iu përgjigjën një telefonate për probleme familjare, por sapo mbërritën në vendngjarje u qëlluan me breshëri plumbash. Një oficer i tretë ka mbetur i plagosur dhe sipas mediave është në gjendje kritike.

Pas incidentit tragjik, autoritetet amerikane nisën një gjueti të vërtetë njerëzore për vrasësin, ndërsa raportohet se një i dyshuar është vënë nën pranga. Zyrtarisht nuk ka arsye për sulmin ndaj policisë, por mediat lokale thonë se vrasësi është një djalë i ri, që kishte kërcënuar se donte të vriste agjentë policie.

Madje raportohet se ishin prindërit e tij që alarmuan policinë për qëllimet e djalit të tyre. Oficerët e vrarë u identifikuan si 63-vjeçari Jose Vega, një veteran i forcave të policisë prej 35 vitesh karrierë e që dilte në pension në dhjetor, si dhe 27-vjeçarja Lesley Zerebni, nënë e një fëmije katërmuajsh, që sapo ishte kthyer nga leja e lindjes.

Oficerë dhe zyrtarë të shumtë nderuan karvanin ku gjendeshin trupat e dy oficerëve të vrarë, derisa makinat mbërritën në rajonin e policisë, ku pritet të zhvillohen homazhe. Ndërkohë, mediat amerikane jo pa qëllim theksojnë se, pas vrasjes së dy oficerëve në krye të detyrës, banorët e komunitetit lokal ndezën qirinj dhe vendosën lule në rajonin e policisë.

Por nuk ka pasur protesta në mbështetje të policisë për dhunën e pësuar, siç ndodh rëndom në rastin e kundërt, kur është policia që ushtron dhunë.

Top Channel