Një tërmet i fortë është ndjerë mbrëmjen e sotme në Napoli dhe zonat përreth.
Lëkundja sizmike është regjistruar rreth orës 19:46 dhe, sipas një vlerësimi paraprak të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, ka pasur magnitudë 4.7.
Pas goditjes së fortë, shumë banorë kanë dalë në rrugë pak para orës 20:00, pasi lëkundjet janë ndjerë në disa lagje të qytetit.
Deri në këto momente nuk raportohen dëme në ndërtesa apo persona të lënduar. Megjithatë, autoritetet kanë nisur verifikimet për të kontrolluar gjendjen e strukturave.
Tërmeti ka shkaktuar gjithashtu probleme me energjinë elektrike në disa zona të Napolit. Ndërprerje janë raportuar veçanërisht në qendrën e qytetit, lagjen Chiaia dhe pjesën perëndimore të Napolit.
Për shkak të lëkundjeve sizmike, qarkullimi hekurudhor në linjat Cumana dhe Circumflegrea është pezulluar përkohësisht, me qëllim kryerjen e kontrolleve të sigurisë. Lajmi është bërë i ditur nga EAV, kompania e transportit publik të Rajonit të Kampanias që menaxhon linjat hekurudhore në zonën e Fushave Flegreane.
Tërmeti ka ndodhur në një mbrëmje të veçantë për qytetin, i cili po zhvillon edhe një festë jozyrtare të tifozëve për 100-vjetorin e Napolit. Sipas organizatorëve, më shumë se 10 mijë persona kanë marrë pjesë në procesionin e tifozëve.
Pavarësisht panikut të shkaktuar nga lëkundjet, deri tani nuk ka raportime për pasoja serioze.
Top Channel