Belgjika mund t’i kishte parandaluar 13 herë sulmet terroriste

08/10/2016 00:00

Belgjika mund ta kishte ndalur celulën terroriste që goditi në fillim Parisin e më pas Brukselin shumë muaj më parë se të kryheshin atentatet që u morën jetën 160 personave.

Akuza tronditëse vjen nga vetë policia belge, që në një raport të sajin vë në dukje të gjitha defektet e verifikuara në disa muaj hetime të brendshme, që tashmë do të përfundojë në duart e komisionit parlamentar që ka për detyrë përmirësimin e reagimit ndaj kërcënimit terrorist.

Në raport saktësohet se, policia kishte të paktën 13 raste për të zbuluar lidhjet mes ekzekutorëve të dy sulmeve terroriste, por nuk shfrytëzoi asnjë prej tyre për shkak të mungesës së personelit, duke u lënë terroristëve fushë të lirë veprimi.

Është e përditshmja “De Tijd” që ka publikuar të dhënat e këtij raporti, i cili përmban një listë të gjatë rastesh të anashkaluara, që rëndojnë pozitën e shërbimeve sekrete dhe forcave belge të rendit, të kritikuara ashpër një ditë pas sulmeve.

Top Channel