Kryepeshkopi afrikan feston 85-vjetorin. Kërkon të drejtën e eutanazisë

07/10/2016 00:00

85-vjetorin e tij, kryepeshkopi i Afrikës së Jugut Desmond Tutu e kremtoi me një shkrim në gazetën “Washington Post” dhe dëshirën për të mos u mbajtur gjallë me çdo kusht.

Laureati i Nobelit të Paqes, një prej aktivistëve më të zëshëm kundër Aparteidit, e bëri të qartë në artikullin e tij se dëshiron të ketë mundësinë e vdekjes së asistuar. Muajin e kaluar, Tutu u shtrua në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të infeksioneve të përsëritura.

“Shpresoj të trajtohem me dhembshuri e të lejohem që të kaloj në fazën tjetër të rrugëtimit të jetës, në një mënyrë që të jetë zgjedhja ime. Për ata që vuajnë sa s’thuhet dhe i afrohen fundit të jetës së tyre, edhe vet ideja se vdekja e asistuar ekziston si mundësi i jep një ngushëllim të pamatë”, tha Tutu.

Në Afrikën e Jugut nuk ka asnjë legjislacion të caktuar mbi eutanazinë. Por prillin e vitit 2015, në një lëvizje të konsideruar si pikë kthese, një gjykatë vendase zgjodhi t’i jepte të drejtën e vdekjes një të sëmuri rëndë, duke nxitur kështu thirrjet për rishikimin e ligjit sa i takon rasteve të vdekjes së asistuar.

Top Channel