Estonia e Finlanda: Avionët rusë shkelin hapësirën ajrore; Helsinki, pakt me SHBA-të

07/10/2016 00:00

Estonia ka denoncuar këtë të premte shkeljen e hapësirës së saj ajrore nga një avion rus, vetëm pak orë pasi fqinji i saj Finlanda bëri të ditur se dy avionë të ngjashëm kishin kaluar mbi territorin e saj, në një kohë që përgatitet të firmosë një marrëveshje për mbrojtje me Shtetet e Bashkuara.

Moska mohon në fakt dërgimin e avionëve mbi kufijtë e këtyre dy shteteve, por një analist ka thënë se fluturimet mund të jenë ndërmarrë si një shenjë kujtese për influencën e Rusisë në këtë rajon, pasi vendet e Baltikut po hedhin sytë drejt forcimit të marrëdhënieve me Perëndimin.

Ministria estoneze e Mbrojtjes tha se një avion luftarak rus hyri në hapësirën e saj ajrore për më pak se një minutë, ndërsa pajisja e transponderit ishte fikur rreth orës 2:38 të mëngjesit me orën lokale.

Helsinki, nga ana e tij, bëri të ditur se dy avionë të “SU-27” kishin shkelur hapësirën e tij ajrore gjatë pasdites së të enjtes, pikërisht mbi Gjirin e Finlandës, apo vija kufitare që ndan atë nga Estonia.

“Ne i konsiderojmë të tilla incidente si tepër serioze”, tha ministri finlandez i Mbrojtjes, Jussi Niinisto. “Fakti që kemi dy shkelje të dyshuara të hapësirës në të njëjtën ditë përbëjnë një rast të jashtëzakonshëm”. Inkursione të së shkuarës kanë ndërmarrë edhe avionë rusë transporti, por asnjëherë avionë luftarakë, deklaroi më tej ai.

Ministria ruse e Mbrojtjes e hodhi poshtë këtë raport, duke thënë se avionët ushtarakë “SU-27” kishin zhvilluar fluturime stërvitore të enjten dhe të premten mbi ujëra neutralë, sipas asaj që raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.

Finlanda po bëhet gjithnjë e më e shqetësuar në lidhje me aktivitetet ushtarake të Rusisë, dikur sundimtar i saj, me të cilën ndan një kufi tokësor prej 1.300 km, veçanërisht pas aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë në shkurt të vitit 2014.

Si kundërpërgjigje, Finlanda ka përforcuar bashkëpunimin me Suedinë dhe është kujdesur edhe për marrëdhënie më të ngushta me NATO-n. Të premten, Helsinki zyrtar nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi të fushës së mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, që mbulon trajnimin dhe ndarjen e informacioneve, por nuk kërkon edhe asistencë ushtarake.

“Fakti që Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për situatën e sigurisë në Europën Veriore është pozitiv, sikurse edhe bashkëpunimi me vendet e tjera të rajonit. Ne e shohim këtë si një element stabilizues”, tha Niinisto. Ai refuzoi të spekulonte nëse Rusia është përpjekur të tregojë forcën e saj përpara takimit të tij me zv.sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Work.

Top Channel