Frikë për rrjedhje informacionesh, arrestohet “Snowdeni i dytë”

05/10/2016 00:00

Një funksionar i qeverisë amerikane është arrestuar nën akuzën e zotërimit të paligjshëm të informacioneve sekrete. Harold Thomas Martin, 51 vjeç, akuzohet për vjedhje të pronës së qeverisë amerikane dhe lëvizje të paautorizuar të materialeve të klasifikuara.

51-vjeçari kishte në zotërim të dhëna që kishin të bënin me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se ai punonte për “Booz Allen Hamilton”, i njëjti kontraktor që kishte punësuar “spiunin” e NSA-së, Edward Snowden.

Njësoj si Snowden, Martin shërbente si kontraktor për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, raportojnë mediat amerikane.

Gjashtë nga dokumentat e gjetura në zotërim të tij ishin të nivelit “top secret”, “që do të thotë se publikimi i paautorizuar i tyre mund t’i shkaktojë dëme të rënda sigurisë së Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Departamenti i Drejtësisë.

Sipas FBI-së, Martin fillimisht mohoi të kishte marrë në zotërim dokumentet, por më vonë pranoi se i kishte tërhequr ato dhe dosjet në format dixhital.

Ndërkohë, James Wyda, avokat i të akuzuarit, ka deklaruar se Departamenti i Drejtësisë duhet ende të provojë akuzat ndaj klientit të tij. “Nuk ka asnjë provë që ai të ketë tradhtuar vendin e tij”, ka thënë Wyda.

Top Channel