Pakti për klimën ratifikohet nga Parlamenti Europian. I hapet rruga zbatimit global

04/10/2016 00:00

Parlamenti Europian mbështeti ratifikimin e marrëveshjes së Parisit për klimën, duke i hapur kështu rrugë paktit të parë global në këtë kuadër. Qëllimi i marrëveshjes është kufizimi i prodhimit të gazrave serë dhe kufizimi i rritjes së temperaturave globale nën 2 gradë Celsius.

Parlamenti Europian e miratoi marrëvëshjen me 610 vota pro, 38 kundër dhe 31 abstenime. Gjatë votimit ishte i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon. Veprimi i Parlamentit Europian i hap rrugë implementimit të marrëveshjes në të gjithë botën.

Meqë PE mbështeti paktin, ministrat e vendeve anëtare mund ta miratojnë atë në emër të BE-së. Që të bëhet operacional, traktati ka nevojë për mbështetjen e të paktën 55 vendeve, që përfaqësojnë të paktën 55% të ndotjes në rang global.

Ban Ki-moon tha se pas votimit të Parlamentit Europian, të cilin e cilësoi moment historik, ka besim se shumë shpejt do të kapërcehet pragu prej 55%. Ekspertët thonë se, zbatimi i marrëveshjes shënoi një hap të madh përpara, kur India, një prej prodhuesve më të mëdhenj të gazrave serë në planet, e ratifikoi marrëveshjen të dielën.

Pakti mbështetet nga thuasje 200 vende dhe ka si qëllim që të largojë ekonominë botërore nga karburantet fosile në përpjekje për të kufizuar përmbytjet, thatësirat dhe rritjen e nivelit të deteve. Ndotja nga dioksidi i karbonit besohet se është forca që shkakton ndryshimet klimatike dhe rritjen e temperaturave globale.

Top Channel