Dama e madhe e javës parizjene të modës iu largua klasikes në pasarelën e saj. Koleksionin e fundit, Chanel zgjodhi ta prezantonte mes serverave gumëzhitës të vet qendrës së tij të të dhënave.

Thirrja e shtëpisë së famshme të modës e kapërcente megjithatë audiencën e të apasionuarve pas kompjuterave, e për këtë mjaftonte të shikoje të ulur në rreshtin e parë Usher, Lily-Rose Depp, Courtney Love dhe ish-Zonjën e Parë franceze, modelen Carla Bruni Sarkozy.

Elektrizimi dhe ngjyrat e ndritshme ishin lajtmotivi i veshjeve të ekipit krijues të Karl Lagerfeld. Modelet që çelën shfaqjen dukeshin si personazhe të luftës së yjeve: kostumet klasike qenë përshtatur hijshëm me çizme “hapësinore” të gjata deri në gju.

Pavarësisht ndonjë ekspozimi pikant, koleksioni përshkohej nga linja aq familjare e Chanelit, por kthesa hokatare që sillnin disa prej krijimeve ishte mëse e mirëpritur. Në disa raste, gama e ngjyrave shkrihej me një shpërthim neoni në fustanet e mëndafshta apo xhaketat dopiopet.

“Nuk është retrospektive, është vizioni i botës sot. Nga ai varemi të gjithë. Mendojeni pak jetën tuaj pa telefon celular. Hapi i ardhshëm do të jetë inteligjenca artificiale dhe robotët”, tha Karl Lagerfeld, stilist.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel