“Madama Butterfly”, opera me dy akte e Puccinit është ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit mbrëmjen e 2 tetorit. Vepra erdhi sërish me regjinë e Nikolin Gurakuqit, i cili ka rizgjedhur në rolin kryesor sopranon Eva Golemi për të interpretuar pas 8 vitesh, por për herë të parë oficeri i flotës amerikane është tenori italian, Davide Sotgiu.

“Shkoi shumë mirë. Jam i kënaqur me ambientin që gjeta këtu dhe bashkëpunimin me kolegët shqiptarë, që janë artistë shumë të mirë, me zëra shumë të mirë, e që më pritën si mik”, tha tenori Davide Sotgiu.

Drama e japonezes së dashuruar me usharin amerikan duket se ka funksionuar mirë në skenën shqiptare.

“Me Eva Golemin, partneren time në aktin e parë u gjenda shumë mirë. Ishte një alkimi e menjëhershme, sepse kur nuk është e tillë bashkëpunimi bëhet i vështirë. Me të ishte gjithçka e thjeshtë, është një artiste e madhe”, tha më tej ai.

Në çdo skenë e kurdoherë, “Madama Butterfly” është një sukses i padiskutuar, të cilin tenori e lidh me fundin tragjik të një dashurie të pakurorëzuar.

“Flitet për Puccinin, i cili dinte të depërtonte në zemrat e njerëzve. Bëhet fjalë për vitet kur udhëtohej shpesh dhe sytë ishin nga kultura orientale. ‘Butterfly’ është pjesë e kësaj periudhe dhe mendoj se suksesi qëndron edhe në faktin se, fundi i operës është tragjik, pasi sjell një dashuri të pamundur”, tha Davide Sotgiu.

“Madama Butterfly” do të vijojë edhe në datat 4 dhe 6 tetor në TKOB.

Top Channel